Ndërlidhjet

“Prapë është kthyer?”: Situata me COVID-19 në Kosovë


Një burrë me maskë mbrojtëse nga koronavirusi - Fotografi ilustruese nga arkivi.
Një burrë me maskë mbrojtëse nga koronavirusi - Fotografi ilustruese nga arkivi.

Shefkije Berisha nuk ka informacione për rrezikun e mundshëm të përhapjes së sëmundjes COVID-19 në Kosovë.

“Prapë është kthyer? Nuk e di”, thotë 70-vjeçarja teksa ec në një park të qytetit të Prishtinës.

“Edhe një ditë kam pyetur se a është zhdukur kjo sëmundje... Kur ka qenë ajo vala e madhe e të infektuarve, i kam marrë dy vaksina. Tash nuk e di se si të veprojmë, duhet të kujdesemi...”, thotë ajo.

Bashkëqytetari i saj, Salihu, thotë se ka dëgjuar se ka të infektuar me koronavirusin që shkakton sëmundjen infektive, COVID-19, por se ai nuk frikësohet.

Ai thotë se ka marrë tri doza të vaksinës dhe se tashmë ka qenë i prekur nga sëmundja.

Më 18 shtator, pas një periudhe disamuajshe, qytetarët e Kosovës janë njoftuar për një person të vdekur nga COVID-19.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, viktima është regjistruar në dyjavëshin e fundit, por nuk jepen më shumë detaje. Gjatë kësaj periudhe janë konfirmuar në total 67 persona të infektuar me koronavirus.

Pa panik dhe pa shqetësim

Drejtori i Infektives në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Arben Vishaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se në këtë klinikë, aktualisht, është i shtrirë vetëm një pacient i prekur nga COVID-19, por që, sipas tij, ai ka edhe një sëmundje malinje.

Vishaj thotë se, tash për tash, nuk bëhet fjalë për shtim të nevojave për hospitalizim, por u apelon qytetarëve që të kenë kujdes të vazhdueshëm sa u përket masave parandaluese, si pastrimi i duarve dhe mbajtja e distancës.

“Simptomat e sëmundjes mbesin të njëjta: temperaturë, lodhje, plogështi, vështirësi në frymëmarrje, mundim e në disa raste të vjella”, thotë Vishaj, duke shtuar se klinika i ka kapacitetet e duhura për “diagnostikimin e sëmundjes në kohë”.

Një infermiere duke u kujdesur për pacientët me koronavirus në Klinikën Infektive në QKUK - Fotografi e bërë në shtator të vitit 2021.
Një infermiere duke u kujdesur për pacientët me koronavirus në Klinikën Infektive në QKUK - Fotografi e bërë në shtator të vitit 2021.

Infektologu i pensionuar, Salih Ahmeti, thotë se nuk ka arsye për panik apo shqetësim. Sipas tij, situata aktualisht nuk është kërcënuese për shëndetin publik.

Ai thotë se masat mbrojtëse, si mbajtja e higjienës dhe e maskave në hapësira të mbyllura, duhet të praktikohen.

“Tashmë jemi afër muajve të ftohtë të dimrit, ku mundësitë e përhapjes së infeksioneve janë më të mëdha”, thotë Ahmeti për Radion Evropa e Lirë.


Në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se në Kosovë, aktualisht, është duke qarkulluar varianti Omicron i koronavirusit, bashkë me disa nënvariante.

REL-i pyeti edhe Ministrinë e Shëndetësisë, edhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës nëse po vazhdon vaksinimi i qytetarëve kundër koronavirusit, por asnjëri prej këtyre dy institucioneve nuk u përgjigj.

Ekspertët shëndetësorë thonë se, përkundër faktit që variantet në qarkullim janë më të lehta, qytetarët duhet të vaksinohen, sidomos të moshuarit.

“Vaksinimi ka luajtur një rol shumë të madh në ruajtjen e jetës se qytetarëve në përgjithësi”, thotë Vishaj.

Në Kosovë janë miratuar dy vaksina kundër koronavirusit: Pfizer dhe AstraZeneca.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në Kosovë, deri më 15 janar të këtij viti, janë administruar mbi 1.8 milion doza të vaksinave.

Rastet e para me koronavirus në Kosovë janë konfirmuar në mes të marsit të vitit 2020. Nga kjo periudhë deri më 17 shtator, 2023, koronavirusi ka prekur 274.105 persona, prej të cilëve 3.220 kanë vdekur, tregojnë të dhënat zyrtare.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur sëmundjen COVID-19 emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar në janar të vitit 2020.

Pas më shumë se tre vjetësh, përkatësisht më 5 maj të këtij viti, OBSH-ja ka deklaruar se COVID-19 nuk paraqet më “urgjencë globale shëndetësore”.

Sipas kësaj organizate, së paku 7 milionë njerëz kanë vdekur në pandemi, ndërsa janë konfirmuar më shumë se 765 milionë infeksione në mbarë botën.

Vaksinat kanë qenë një nga pikat kryesore të kthesës. Sipas OBSH-së, janë dhënë mbi 13 miliardë doza - çfarë ka mundësuar që shumë njerëz të mbrohen nga sëmundjet e rënda dhe vdekja.

Muajin e kaluar, OBSH-ja ka thënë se po vëzhgon nga afër një variant të ri të koronavirusit për shkak të numrit të madh të mutacioneve që bart - më shumë se 30.

Varianti i ri BA.2.86, atëkohë, ka qenë i identifikuar në Izrael, Danimarkë dhe Shtete të Bashkuara.

Në vendet fqinje të Kosovës, situata është pak a shumë e ngjashme.

Sipas të dhënave zyrtare në Mal të Zi, në periudhën 6-12 shtator janë regjistruar 199 raste pozitive me koronavirus.

Në Maqedoni të Veriut, në tetë muajt e parë të këtij viti janë konfirmuar gjithsej 2.662 raste pozitive.

Bosnje e Hercegovina nuk i regjistron më të infektuarit me koronavirus.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG