Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka shpërblyer si "Web-storien më të mirë", materialin e Radios Evropa e Lirë për qindra placenta që nuk janë trajtuar si duhet në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë (QKUK).
Ky material i gazetarit Arton Konushevci dhe kameramanit Arben Hoti, është publikuar më 16 shtator 2021.
Pas publikimit të këtij materiali, institucionet përgjegjëse kanë gjetur zgjidhje të përkohshme për varrosjen e këtyre placentave.
AGK-ja ka ndarë edhe tri çmime tjera në ceremoninë e 23 dhjetorit.
Kastriot Berisha ka fituar çmimin për "Gazetarin më të mirë', Valdete Osmani për "Materialin më të mirë televiziv" dhe Deniz Sllovinja për "Kameramanin më të mirë".
Vlera e këtyre shpërblimeve është nga 600 deri në 1,000 euro.
Këtë vit, AGK-ja ka thënë se ka pranuar 55 aplikime.
Çmimet e këtij viti janë ndarë me mbështetjen e Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) është organizatë joqeveritare që synon të promovojë dhe të inkurajojë gazetarinë kualitative dhe të hapur në Kosovë, si dhe të përmirësojë pozitën e gazetarëve në shoqërinë kosovare.