Për shumë ukrainas lokalë në rajonin e Donbasit, pushtimi i vitit të kaluar nga Rusia ishte vetëm një përshkallëzim i një lufte që fillimisht ua kishte përmbysur jetën në vitin 2014.
Në Avdijivka, qytet në lindje të Ukrainës, shumë civilë të intervistuar në fillim të këtij muaji po tentonin ta mbanin një lloj ndjenje normaliteti, edhe përderisa forcat ruse po afroheshin.
Intervistat e mëposhtme ishin realizuar pak kohë para se gazetarëve t’iu ndalohej hyrja në Avdijivka dhe në zona të tjera të vijës së frontit, përmes legjislacioneve të reja kundërthënëse.
Iryna
Iryna jeton prapa stacionit të trenit të Avdijivkas, që ka mbetur jashtë përdorimit që një kohë të gjatë. Disa pemë rreth shtëpisë së saj janë rrëzuar nga predha artilerie dhe fqinjët tani dalin në rrugë për të mbledhur drunjtë që i nevojiten për të ndezur zjarre në sobat e tyre.
Iryna gatuan në korridorin e shtëpisë së saj, ku e ka më të lehtë ta largojë tymin. Muret e shtëpisë së saj janë shpuar nga copëza të predhave. Disa nga ato vrima u bënë nga një predhë që ra në oborrin e shtëpisë së saj disa muaj më parë dhe e la pa këmbën e djathtë.
“Kur më thanë se do të ma prisnin pjesën tjetër të këmbës, nuk u mërzita. E pyeta djalin tim nëse do të kujdeset për mua”, kujton Iryna. “Kur tha po, e dija se gjithçka do të shkonte mirë”.
“Më mungon puna dhe ecja, por është në rregull. Në rregull, e humba këmbën. Gjëra të tilla ndodhin këtu. Kjo nuk është arsye për të ndaluar së jetuari”, thotë Iryna, duke buzëqeshur.
Njëjtë si ajo besojnë edhe shumë persona të tjerë që qëndrojnë ende në Avdijivka dhe besojnë se rreziku në qytetin e tyre nuk është dukshëm më i lartë se në pjesën tjetër të Ukrainës.
“Nuk ka kuptim të shqetësohesh për granatimet. Ose të godet dhe ti vdes ose jo. Është si të shqetësohesh për një sulm në zemër”, thotë ajo. “Është e trishtueshme që Ukraina është një vend kaq i rrezikshëm për të jetuar tani, por nuk kemi shumë çfarë të bëjmë për këtë”.
Me qasje të kufizuar në internet, disa vendas të Avidijikas nuk kanë qasje në lajmet e fundit, ndërsa të tjerë zgjedhin të mos i ndjekin ato.
“Nuk dua të dëgjoj se sa e keqe është situata në Avdijivka. Unë dua të qëndroj këtu, në mënyrë që jeta ime të mbetet normale”, thotë Iryna.
Dima
Jo shumë larg Irynas jeton edhe Dima 12-vjeçar. Ai dhe motra e tij, Vika, janë dy nga 43 fëmijët që kanë mbetur ende në Avdijivka që nga fillimi i marsit. Ashtu si Iryna, familja e Dimës po përpiqet ta ruajë një ndjenjë normaliteti. Ata kalojnë orë të tëra zgjuar në shtëpinë e tyre dhe zbresin në bodrum vetëm natën kur granatimet janë zakonisht më intensive. Shtëpia e tyre ende nuk është shkatërruar plotësisht.
“Kur predhat ose një valë shoku shkakton dëm, ne thjesht e riparojmë atë. Është punë e pafund, por na pëlqen që shtëpia jonë të duket mirë”, shpjegon babai i Dimës, Serhiy.
Zgjedhja për të qëndruar në shtëpi vjen me rreziqe të konsiderueshme, por siç thotë nëna e Dimës, "ata janë fëmijë. Ata duhet të rriten në një shtëpi, jo në një bodrum”.
Çifti shqetësohet se autoritetet do t'i evakuojnë me forcë fëmijët e tyre.
“Policia u përpoq të na bindë se fëmijët nuk mund të jetojnë këtu, por ata e kanë gabim”, thotë ajo.
Kur pyetet nëse ka frikë, Dima hedh një vështrim drejt nënës së tij. “Nëse prindërit e mi nuk kanë frikë, as unë nuk do të kem frikë”, thotë ai.
Miqtë e Dimës u larguan me familjet e tyre nga Avdijivka shumë kohë më parë. Ai do të donte të mund të luante me ta në rrugë dhe të shkonte përsëri në shkollë. Por, në fund të fundit, nuk është zgjedhja e tij. Vendimi është i prindërve të tij.
Svitlana
Përgjatë vitit të kaluar, Svitlana ka jetuar në bodrumin poshtë ndërtesës së rrënuar që dikur ishte shtëpia e saj. Vendasja nga Avdijivka dridhet nga i ftohti në bodrumin e mbushur me tym.
“Është e vështirë të besohet se situata mund të përkeqësohet”, thotë ajo.
Teksa ajo flet, një predhë e madhe artilerie shpërthen aty pranë. Muret dridhen dhe copa të vogla betoni bien nga tavani i ulët. Svitlana fillon të qajë.
“As nuk më interesojnë granatimet”, thotë ajo. “Më duhet vetëm të marr pak dru diku. Nganjëherë më duket sikur nëse një bombë do të më vriste, do të ishte më mirë sesa të vdisja ngadalë këtu nga i ftohti”.
Pavarësisht shpërthimeve që jehojnë nëpër rrugë, ajo rrëmben pallton dhe niset për ta pyetur një shoqe të saj në një lagje tjetër nëse ka dru zjarri për të ndarë me të.
Kudo në Avdijivka, njerëzit përballen me sfida të ngjashme: Ku të gjejnë ushqim dhe dru për sobë? Si të ajrosin bodrumet e mbushura me tym? Kur është e sigurt të dalin nga bodrumet për t’i mbushur telefonat, fenerët dhe bateritë?
Disa vullnetarë dhe autoritetet ukrainase kanë tentuar disa herë ta evakuojnë Svitlanën.
“I mbijetova nëntë vjetëve luftë. Pse do të largohesha tani?”, thotë ajo. “Kam lindur në Avdijivka dhe nuk njoh vend tjetër përveç këtij”.
Valeriy
Valeriy jeton jo shumë larg vendit ku Svitlana shkon për të kërkuar dru zjarri. Xhami kërcet nën këpucët e tij, teksa ai ecën në hyrjen e një bodrumi të përbashkët.
Ky 65-vjeçar nuk reagon kur ka shpërthime aty pranë dhe as nuk e ngrit kokën kur dëgjohet zhurma e një droni. Në Avdijivka, shpërthimet dëgjohen çdo dy sekonda dhe, për disa, zhurma e luftës është bërë si zhurmë e bardhë.
Kur pyetet për zhurmën e pushkëve që vinin nga një rrugë fqinje, Valeriy ngre supet. Banori i Avdijivkas habitet kur mëson se streha e tij është vetëm pak më shumë se një kilometër larg vendit ku kanë avancuar trupat ruse.
“Vetëm një kilometër ka mbetur? Nuk e kisha idenë”, psherëtin ai. “Epo, as nuk jam i sigurt se si duket Avdijivka. Përpiqem të qëndroj nën tokë dhe sa herë që më duhet të dal, nuk shkoj larg”.
Valeriy thotë se ai do të qëndrojë “për aq sa nuk bëhet shumë keq në Avdijivka”.
Vullnetarët e administratës ushtarake të qytetit thonë se e dëgjojnë shpesh këtë përgjigje. Ata shqetësohen se kur civilët si Valeriy të vendosin se është bërë “shumë keq”, do të jetë tepër vonë për t'u larguar.