Autoritetet në Kosovë nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim në lidhje me alarmet nga disa vende për rreziqet që po shkakton përdorimi i cigareve elektronike. Aktualisht, institucionet publike të shëndetit nuk kanë dhënë ndonjë informacion për masat e mundshme, e as për statistikat rreth përdorimit të cigareve elektronike, të cilat ka kohë që po prezantohen nga prodhuesit si produkt që mund të zëvendësojnë cigaret e rëndomta.
Në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik thonë se nuk kanë asnjë të dhënë lidhur me atë se sa konsumohet cigarja elektronike në Kosovë dhe cilat janë efektet anësore të saj.
Era Pireva, zëdhënëse e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se asnjëherë nuk është bërë ndonjë studim për cigaret elektronike në Kosovë.
Ndërkaq në Ministrinë e Shëndetësisë, drejtori për informim, Faik Hoti tha për Radion Evropa e Lirë se cigarja elektronike nuk është e ndaluar, por se sa ka përdorim, nuk ka ndonjë studim të veçantë.
“I ndaluar është çfarëdo lloj duhani që të konsumohet në hapësirat ku ndalohet me ligj dhe sipas ligjit, duhani, në cilëndo formë të tij, nuk lejohet t'u shitet personave nën 18 vjeç”, tha Hoti.
Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nuk ka të dhëna të ndara për ndonjë rast të trajtuar me pasoja shëndetësore, për shkak të përdorimit të cigareve elektronike.
Rukije Mehmeti, pulmologe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë se ndonëse është rritur numri i pacientëve që kërkojnë ndihmë nga sëmundjet e mushkërive, nuk ka të dhëna nëse kjo ka ndonjë ndërlidhje me cigaret elektronike. Sipas saj, ajo që vlen të shënohet është se kanceri i mushkërive, sidomos te gratë, po shënon rritje të rasteve viteve të fundit.
“Ne nuk kemi as studime, as statistika dhe mund të them se edhe nëse vdes dikush me komplikime në mushkëri, ne nuk mund t’i atribuohemi këtyre cigareve, pasi nuk kemi mundësi të bëjmë studime të tilla”, tha Mehmeti.
Sikurse në shumë vende tjera, edhe në Kosovë kur ishte sjellë në treg, cigarja elektronike ishte prezantuar si mundësi që përmes saj, duhanpirësit ta zëvendësojnë cigaren klasike.
Të dhënat flasin se rreth tre mijë tonë duhan, ne vlerë mbi 300 milionë euro, është sasia e duhanit të konsumuar në Kosovë. Por, pulmologia Mehmeti thotë se ky është një perceptim që nuk është i vërtetuar.
“Ajo çka mund të them është se numri i pacientëve është në rritje, por prapë po them nuk e di a ka pasur përkeqësim prej cigares elektronike. Apeli im si pulmologe është se ata që vendosin ta ndërprejnë cigaren, mos ta zëvendësojnë me cigare elektronike, pasi ende nuk dihen efektet negative të saj”, tha Mehmeti.
Cigaret elektronike mund të blihen nëpër dyqane të destinuara për shitje të produkteve “tobaco”.
Gjoshkun Beqiri, menaxher i një dyqani të tillë në Prishtinë, duke folur për Radion Evropa e Lirë tha se kërkesat për cigare elektronike në Kosovë nuk janë të pakta.
Në lokalin e tij, i cili është i licencuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, thotë se shitja dallon nga dita në ditë, por që mesatarja e shitjes është deri në tre aparate për cigare elektronike, e që çmimi për një aparat sillet nga 45 deri në 140 euro.
“Kërkesa ka, nuk është keq dhe kryesisht ata që dëshirojnë ta ndërprejnë pirjen e cigares e nisin cigaren elektronike edhe pse nuk është më pak e dëmshme", tha Beqiri.
“Te ne ka kërkesa (për furnizim), edhe prej qyteteve tjera, por edhe prej shteteve tjera, si për shembull nga Maqedonia e Veriut”, tha ai.
Ai tërheq edhe vërejtjen se të rinjtë nën moshën 18 vjeç, e kanë një mundësi tjetër që ta blejnë këtë produkt përmes blerjeve në internet apo on-line, të cilat janë fare pak të kontrollueshme nga autoritetet.
Shoqata Amerikane për Mjekësi së fundmi u bëri thirrje amerikanëve të ndalojnë përdorimin e cigareve elektronike të çfarëdo lloji, derisa shkencëtarët të kenë të dhëna më shumë për shkakun e 450-të sëmundjeve të mushkërive dhe të paktën gjashtë vdekjeve që lidhen me përdorimin e këtij produkti.