Ndërlidhjet

Michel pret që Serbia të vendosë sanksione ndaj Rusisë


Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës ka tronditur kontinentin evropian, i ka dhënë fund paqes në Evropë dhe po ndodh në një kohë kur të gjithë duhet të punojnë për të mbrojtur njëri-tjetrin, tha presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, gjatë qëndrimit më 19 maj në Serbi.

Pas bisedimeve me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Michel tha se integrimi evropian i Serbisë dhe i Ballkanit Perëndimor duhet të përshpejtohet dhe konfirmoi “zotimin e plotë" të BE-së në negociatat e anëtarësimit.

Ai po ashtu theksoi se procesi i zgjerimit të bllokut me Ballkanin Evropian duhet të jetë më efikas dhe dinamik dhe se “zgjidhja mund të qëndrojë në integrimin gradual dhe progresiv, gjatë procesit të anëtarësimit”.

Michel tha se shtetet kandidate duhet të ndiejnë “përfitimet” nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Në konferencën për media, Michel nuk e tha në mënyrë eksplicite se Serbia duhet të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe takimi me Vuçiqin u mbajt prapa dyerve të mbyllura.

“Presidenti Michel shprehu në mënyrë shumë të fortë dëshirën dhe pritjet që Serbia t’i bashkohet sanksioneve ndaj Rusisë. E informova atë për qëndrimet tona”, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në konferencën për media pas takimit me Michel.

Zyrtarët serbë vazhdimisht kanë thënë se Serbia nuk mbështet vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë, pasi thonë se kështu po mbrojnë interesat vitale të shtetit.

Serbia është i vetmi shtet në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka vendosur regjimin e sanksioneve ndaj Rusisë. Komuniteti ndërkombëtar gjithnjë e më shumë po i bën thirrje Serbisë që të ndjekë regjimin e sanksioneve, teksa shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka thënë se nuk mund të ketë të ardhme evropiane për shtete që mbajnë kontakte me Putinin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG