Ndërlidhjet

Çfarë qëndron mbrapa luftimeve të reja mes Armenisë dhe Azerbajxhanit?


Ushtarë armenë. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Ushtarë armenë. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Associated Press

Përleshjet kufitare në mes të Armenisë dhe Azerbajxhanit kanë lënë të vdekur mbi 50 trupa ushtarake në të dyja anët.

Këto janë luftimet më të mëdha mes palëve, prej vitit 2020, kur lufta disaditëshe ka lënë mijëra njerëz të vrarë.

Mirëpo konflikti mes këtyre vendeve fqinje është i gjatë me dekada.

Pse ka armiqësi mes palëve?

Armenia dhe Azerbajxhani kanë luftuar për rajonin e Nagrno-Karabakut për më shumë se tri dekada.

Ky rajon malor është pjesë e Azerbajxhanit, mirëpo është kontrolluar nga forcat etnike armene, që përkrahen nga Armenia, prej luftës separatiste që ka përfunduar më 1994.

Ky territor ka rreth 4.400 kilometra katrorë.

Përgjatë periudhës sovjetike, ky rajon i populluar kryesisht nga armenët, ka pasur status autonom brenda Azerbajxhanit.

Tensionet e vazhdueshme mes armenëve të krishterë dhe azerbajxhanasve myslimanë, datojnë prej vitit 1915 kur ka ndodhur masakra e 1.5 milion armenëve nga forcat otomane.

Për luftime është raportuar edhe në periudhën sovjetike.

Luftimet kanë shpërthyer më 1988 kur rajoni ka synuar që t’i bashkohet Armenisë dhe më pas më 1991, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Si pasojë e asaj lufte kanë vdekur rreth 30.000 njerëz dhe janë zhvendosur 1 milion të tjerë.

Pas përfundimit të luftës, përmes një armëpushimi më 1995, forcat armene jo vetëm që kanë kontrolluar Nagorno-Karabakun, por edhe zonat përreth.

Mekanizmat ndërkombëtarë kanë dështuar që të ndërmjetësojnë një marrëveshje potenciale mes dy vendeve.

Lufta e vitit 2020

Më 27 shtator të vitit 2020, Azerbajxhani pati nisur operacionin e quajtur “Grushti i hekurt”, për të rikthyer kontrollin e Nagorno-Karabakut.

Turqia, vend anëtar i NATO-s, që ka lidhje të ngushta etnike, kulturore dhe historike me Azerbajxhanin, i ka ofruar këtij të fundit mbështetje të madhe.

Përgjatë gjashtë javëve të luftimeve të ashpra me artileri të rëndë, raketa dhe dronë, - duke lënë të vdekur më shumë se 6.700 persona - trupat azerbajxhanse kanë zmbrapsur forcat armene prej zonave që kanë kontrolluar në Nagorno-Karabak.

Një marrëveshje e ndërmjetësuar nga Rusia më 10 nëntor, i ka mundësuar Azerbajxhanit që të rikthejë kontrollin në zonat e pushtuara nga forcat armene jashtë Nagorno-Karabakut për gati tri dekada, duke përfshirë rajonin Laçin, i cili gjendet në rrugën kryesore që çon në Nagorno-Karabak.

Forcat armene janë pajtuar po ashtu që të heqin dorë nga rajone të mëdha të Nagorno-Karabakut.

Rusia ka angazhuar rreth 2.000 trupa në rajon si paqeruajtës.

Kjo marrëveshje ka nxitur protesta të vazhdueshme në Armeni, pasi opozita e ka konsideruar marrëveshjen si tradhti dhe ka bërë thirrje për dorëheqjen e kryeministrit, Nikol Pashinyan.

Pashinyan i ka mbijetuar presionit, duke e konsideruar marrëveshjen si rrugën e vetme për të parandaluar Azerbajxhanin nga marrja e kontrollit të gjithë Nagorno-Karabakut.

Armiqësi të reja?

Përleshje sporadike në mes të forcave azerbajxhanase dhe armene janë raportuar shpesh në këtë zonë, mirëpo luftimet që kanë nisur të martën kanë qenë më seriozet prej paqes së arritur më 2020.

Të dyja palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për nisje të armiqësive.

Armenia ka akuzuar Azerbajxhanin për sulm të paprovokuar, derisa Bakuja ka thënë se është duke iu përgjigjur bombardimeve të forcave armene.

Armenia ka thënë se të paktën 100 ushtarë të saj janë vrarë, derisa Azerbajxhani ka thënë të ketë humbur 50 ushtarë.

Rusia ka reaguar shpejt për të ofruar ndihmë në negociata për dhënie fund të armiqësive, mirëpo armëpushimi që ka tentuar të ndërmjetësojë, ka dështuar dhe përleshjet kanë vazhduar.

Në orët e vona të 13 shtatorit, presidenti rus, Vladimir Putin ka zhvilluar një bisedë telefonike me liderët e shteteve që janë pjesë e organizatës, Traktati për Siguri Kolektive, pjesë e së cilës janë disa shtete që kanë qenë në ish-Bashkimin Sovjetik, përfshirë edhe Armeninë.

Liderët janë pajtuar që të dërgojnë në zonat e luftës një mision për gjetje të fakteve, duke përfshirë edhe zyrtarë të lartë të të dyja palëve që janë përfshirë në konflikt.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG