Ndërlidhjet

Çfarë po bëjnë shtetet mirë dhe keq në luftim të koronavirusit?


Numri i personave të infektuar me sëmundjen Covid-19, që shkakton koronavirusi, po i afrohet shifrës 1 milion, ndërkohë që më shumë se 43,000 persona kanë vdekur. Krijimi i një vaksine mund të marrë muaj, nëse jo edhe vite. Dhe ende nuk ka rregullore që tregon se si shtetet duhet të përgjigjen ndaj kësaj krize.

Megjithatë, në kohën e sfidës së pashembullt me pandeminë e koronavirusit, shtetet janë duke bërë çfarë po munden për të ndalur, apo të paktën për të ngadalësuar shpejtësinë e sëmundjes.

Nga karantinat e deri te distancimi fizik, apo edhe vendosja e maskave mbrojtëse, qeveritë janë duke ofruar qasje të ndryshme.

Radio Evropa e Lirë ka shikuar si janë duke menaxhuar këtë situatë katër shtete.

Koreja Jugore

Koreja Jugore ka qenë një prej shteteve të goditura më së keqi nga koronavirusi pasi edhe parashikimet kanë qenë të tmerrshme.

Mirëpo ndërkohë që ky shtet pati raportuar për afro 9,900 persona të infektuar dhe 165 të vdekur deri më 1 prill, bazuar në të dhënat e përpiluara nga Universiteti Johns Hopkins, Koreja Jugore veçse ka flluar të marrë lavdata.

Çelësi duket se mbetet në zbatimin inovativ të shkallës së testimit, duke përfshirë përdorimin e kabinave të stilit të telefonave, të cilat iu lejojnë njerëzve të testohen shpejt dhe sigurt, si dhe të gjurmojnë personat e infektuar apo kontaktet e tyre potenciale.

Eric Feigl-Ding, hulmutues i lartë dhe epidemiolog në Federatën e Shkencëtarëve Amerikanë, ka thënë se Koreja Jugore ka testuar 15,000 persona brenda ditës, duke e kthyer këtë shtet në një nga liderët botërorë.

Ky shtet ka përvojën e shpërthimit të virusit MERS më 2015, i cili ka pasur origjinën në Lindjen e Mesme. Nga ajo kohë, Koreja Jugore ka riorganizuar sistemin e kontrollimit të sëmundjeve. Përveç sistemit fantastik shëndetësor, ky shtet posedon edhe industri të avancuar të bioteknologjisë, që mundëson kryerjen e shpejtë të testeve.

Megjithatë, varësia e madhe e këtij shteti në teknologji të vëzhgimit, sidomos CCTV, bashkë me vëzhgimin e kartelave bankare dhe telefonëve, për të identifikuar kë duhet testuar, ka ngritur shqetësime për mbrojtjen e privatësisë.

Gjermania

Në shikim të parë, shifrat e Gjermanisë nuk duken të mira. Sipas të dhënave të Universitetit, Johns Hopkins, Gjermania ka më shumë se 71,000 raste të konfirmuara me koronavirus, apo vendi i pestë më i prekur në botë.

Më shumë se 779 persona në këtë shtet kanë vdekur si pasojë e sëmundjes COVID-19. Mirëpo duke marrë parasysh popullsinë prej më shumë se 82 milionë banorëve, shkalla e fatalitetit në Gjermani – më shumë se 1 për qind- është relativisht e ulët. Spanja dhe Italia, për krahasim kanë shkallë të fatalitetit prej më shumë se 10 për qind.

Sikurse në Korenë Jugore, për shifrat relativisht të vogla, edhe në Gjermani, deri në një masë, suksesin duhet atribuuar testimeve.

Christian Drosten, ekspert gjerman, ka thënë se testimet kanë nisur në fillim të muajit janar, kur numri i rasteve ka qenë kryesisht i vogël. Identifikimi i personave që kanë virusin është proces tejet i rëndësishëm për të ndalur përhapjen, sepse shumë persona mund ta bartin sëmundjen edhe nëse kanë pak apo aspak simptoma.

Mirëpo Gjermania ka marrë edhe hapa tjerë të jashtëzakonshëm, duke nisur nga ndalimet në grumbullim në hapësirat publike dhe mbylljen e dyqaneve dhe restoranteve jo të domosdoshme.

Tavolinat e zbrazura në Këln të Gjermanisë.
Tavolinat e zbrazura në Këln të Gjermanisë.

Situatës i ka ndihmuar edhe sistemi i përgatitur shëndetësor për menaxhim të krizave me 500,000 shtretër. Ndërkohë janë bërë të ditura planet për të dyfishuar këtë numër.

Italia

Italia ka raportuar për më shumë se 105,000 raste të konfirmuara me Covid-19, vendi i dytë më i prekur pas Shteteve të Bashkuara, duke i raportuar botës për më shumë se 12,400 viktima si pasojë e koronavirusit deri më 1 prill.

Sipas ekspertëve, përgjigjja e shtetit ka qenë e paktë dhe e vonshme.

Dy turistë në Itali.
Dy turistë në Itali.

Deri më 23 shkurt, ky shtet ka pasur 123 raste, derisa kishte mbyllur 11 qyteza. Mirëpo mesazhi i qeverisë ka qenë konfuz: ndonëse zyrtarët kanë bërë thirrje për distancim fizik dhe kanë mbyllur të gjitha shkollat publike deri më 4 mars, ata po ashtu u kanë thënë italianëve që nuk kanë nevojë të ndryshojnë “shprehitë” e tyre.

Ekspertët po ashtu janë pajtuar që sistemi shëndetësor i Italisë nuk ka qenë i gatishëm për ta përballuar krizën pasi ka pasur edhe mungesë të maskave dhe respiratorëve.

Giorgio Palu, ekspert i virologjisë, ka thënë se Italia ka bërë gabim kur ka mbushur spitalet me persona të infektuar, simptomat e të cilëve nuk kanë qenë kritike.

Pesë gjëra që duhet t’i dini për testet e koronavirusit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:12 0:00

Në mesin e muajit mars, qeveria ka publikuar një dekret emergjent për të ndarë 3.9 miliardë dollarë në sistemin për kujdes shëndetësor, duke përfshirë zgjerimin e repartit për kujdes shëndetësor dhe blerjen e ventilatorëve dhe mjeteve mbrojtëse.

Ekspertët bëjnë dallimin në mes të rajonit veriperëndimor të goditur rëndë të Lombardisë dhe rajonit verilindor të Venetos, që nuk ka vuajtur aq shumë.

Ata thonë se Venetoja është treguar e suksesshme jo vetëm për shkak të testimeve masive, por edhe për shkak të identifikimit të atyre që mund të kenë qenë në kontakt me personat e infektuar, duke u lejuar autoriteteve ose testimin ose futjen në karantinë të personave që përbëjnë rrezik.

Shtetet e Bashkuara

Shtetet e Bashkuara tani janë epiqendra e pandemisë me koronavirus, me mbi 190,000 persona të raportuar deri më 1 prill, apo më së shumti në botë.

Deri më 1 prill, numri i personave të vdekur ka tejkaluar shifrën 4,000, një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump u ka thënë amerikanëve se po i presin “dy javë shumë të vështira”.

Ky koment ka qenë në kundërshtim me disa deklarata të mëparshne, sikurse një ajo e 20 janarit, kur ai pati thënë se “ne e kemi situatën totalisht në kontroll”.

Mesazhe të tilla të ndryshme kanë kontribuuar në përgjigjje të zbehtë amerikane, për të cilën Ron Klain, i cili ka drejtuar luftën kundër Ebolës më 2014, i ka thënë një paneli në Universitetin Goergetown që “do të studiohej për gjenerata si përpjekje e dështuar, katastrofale”.

Aeroplanët jofunksionalë si pasojë e anulimit të fluturimeve.
Aeroplanët jofunksionalë si pasojë e anulimit të fluturimeve.

Testimi, një proces kaq i rëndësishëm për luftim të koronavirusit, ka qenë një zonë e zhytur në probleme, ndonëse ka shenja të përmirësimit në ditët e fundit.

Mungesa e testeve, jogatishmëria për të porositur teste të reja, problemet në prodhim, dhe deklaratat konfliktuoze të vetë Trumpit rreth qasjes dhe nevojës për teste janë përmendur si çështje që i kanë kontribuuar shtyrjes së testimeve.

Robert Redfield, udhëheqës i Qendrës për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve ka thënë se mungesa e fondeve ka qenë po ashtu faktor në përgjigjjen e zbehtë.

“E vërteta është se nuk kemi investuar shumë në laboratorët e shëndetit publik”, u ka thënë Redfield ligjvënësve në muajin mars.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG