Ndërlidhjet

Çfarë fshihet pas ndryshimeve në Kodin Penal?


Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë së Veriut.
Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë së Veriut.

Miratimi i ndryshimeve në Kodin Penal të Maqedonisë së Veriut, për uljen e dënimeve me burgim për bartësit e funksioneve shtetërore, në rast të gjykimit të tyre për shpërdorim të detyrës zyrtare, vlerësohet si “skandaloz” dhe në “funksion të mbrojtjes së krimit”, sipas njohësve të çështjeve juridike.

Ndryshimet në procedurë të shpejtuar janë miratuar të mërkurën në mbrëmje, pas një debati që nuk ka zgjatur më shumë se tre orë.

Ndryshimi i disa neneve parashikon përgjysmimin e dënimeve me burg, por madje edhe heqjen e plotë të dënimeve në rastet e keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar gjatë prokurimit publik, apo veprave që dëmtojnë fondet buxhetore.

Me ligjin e deritanishëm, dënimet për vepra të tilla penale fillonin nga pesë dhe mund të shkonin deri në dhjetë e më shumë vjet burgim.

Tani dënimet me këto vepra nuk do të jenë më të larta se pesë vjet.

Ulje më drastike të dënimit me burgim parashihen në Nenin 394, që ka të bëjë me veprën penale “bashkim kriminal”.

Në vend të maksimumit prej dhjetë vjetëve burgim, që parashikohej më parë për atë që krijon një grup kriminal, tani me ndryshimet që janë bërë, dënimi maksimal mund të arrijë deri në tre vjet burgim.

Këto ndryshime Qeveria i ka arsyetuar me nevojën e harmonizimit të Kodit Penal me praktikat evropiane, por edhe heqje dorë nga pikat e legjislacionit, që sipas Qeverisë, ende bazoheshin në praktikat e sistemit të kaluar të ish-Jugosllavisë.

Por, Bashkim Selmani, profesor i së Drejtës Penale në Universitetin e Tetovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndryshimet në Kodin Penal do ta përkeqësojnë edhe më shumë gjendjen sa i përket kryerjes së veprave penale.

Ai thotë se në vend të përmirësimit të gjendjes për luftimin e krimit dhe korrupsionit, do të ndodhë e kundërta, pasi dispozitat e reja të Kodit Penal do t’i nxisin zyrtarët që edhe më shumë të përfshihen në afera korruptive.

“Fatkeqësisht, për të gjitha ligjet që janë miratuar deri tani, asnjëherë nuk është marrë për bazë gjendja faktike dhe pritshmëritë për ta ndryshuar gjendjen e vështirë të qytetarëve. Me këto ndryshime mbrohet krimi dhe kriminaliteti. Këto ndryshime mund të kenë efekt negativ pasi do t’i nxisin akoma më shumë veprat penale sa u përket zyrtarëve të cilët kanë synime për të kryer vepra penale”, ka deklaruar Selmani.

Ndryshimet u kundërshtuan edhe nga opozita maqedonase dhe ajo shqiptare, të cilat votuan kundër me arsyetimin se “ndryshimet bëhen për t’i shpëtuar zyrtarët dhe ish-zyrtarët e korruptuar dhe të dënuar me burgim për vepra të rënda penale”.

Partitë opozitare shqiptare kanë thënë se “ndryshimet i hapin rrugën kthimit në vend të ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, i dënuar me shumë vjet burgim për vepra të rënda penale”.

Gruevski ndodhet në Hungari, ku në vitin 2018 ka marrë azil politik, për t’iu ikur padive për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Ndryshimet e miratuara janë në kundërshtim me përkushtimin për luftë të pakushtëzuar kundër korrupsionit dhe për forcimin e sanksioneve ndaj personave të akuzuar apo të dënuar për krime korruptive, vlerëson Zyra e organizatës ndërkombëtare Transparency International në Maqedoni të Veriut.

“Ndryshimet në Kodin Penal bëhen në kohën kur ka indikacione të fuqishme të brendshme dhe të jashtme se korrupsioni, veçanërisht korrupsioni i lartë, është në nivele të larta dhe besimi në drejtësinë është në nivelin më të ulët në historinë e këtij vendi, kur ka pandëshkueshmëri dhe mungesë të çdo lloj përgjegjësie”, thuhet në reagim.

Me një zgjidhje të tillë ligjore, sipas kësaj organizate, shumë akuza dhe hetime për krime të larta financiare korruptive, që dëmtojnë buxhetin dhe imazhin e shtetit, nuk do të kenë epilog, pasi ndryshimet e miratuara bëjnë vjetërsimin e tyre apo ndalojnë procedurat për ato që janë në rrjedhë e sipër.

Mirjana Najçevska, aktiviste dhe ligjëruese në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Shkupit, thotë se me miratimin e këtyre ndryshimeve, Qeveria i ka zhvlerësuar të gjitha përpjekjet për t'iu afruar Bashkimit Evropian, pasi në vend që ta luftojë korrupsionin, mbështet dhe krijon hapësirë për korrupsion më të madh në nivelin më të lartë shtetëror.

Në këto ndryshime, Najçevska sheh edhe mundësinë e marrëveshjes mes Qeverisë dhe VMRO-DPMNE-së, në drejtim të miratimit të ndryshimeve kushtetuese.

Ajo thotë se krimi fillon që nga miratimi i ndryshimeve me procedurë të shpejtuar, pa debat, pa përfshirjen e ekspertëve dhe në kundërshtim me të gjitha parimet demokratike.

“Këtu kemi të bëjmë me krim, edhe atë duke nisur nga procedura për miratimin e ndryshimeve me procedurë të shpejtë...Sa herë që bëhet fjalë për aktivitete që nënkuptojnë uljen e përgjegjësisë së zyrtarëve, dalin në sipërfaqe marrëveshje mes partive politike. Aktualisht nuk ka asnjë parti politike që, pavarësisht performancës së saj kundërshtuese, në aktin e votimit apo veprimit faktik, nuk do të ishte dakord me këtë formë të uljes së dënimeve. Këtë mund ta nënkuptojmë si formë të blerjes së votave me faljen e të gjithë atyre që kanë bërë veprime kriminale, me qëllim të përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë, përkatësisht të miratimit të ndryshimeve kushtetuese”, thotë Najçevska.

Miratimi i ndryshimeve në Kodin Penal ka nxitur reagime të shumta në rrjetet sociale nga personalitete të ndryshme të jetës publike, e që kryesisht kanë të bëjnë me dyshimet për marrëveshje të fshehtë mes pushtetit dhe opozitës për miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe lirimin nga burgu apo ndjekja penale e ish-zyrtarëve të akuzuar për abuzim me pushtetin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG