Biden arrin në Shtëpinë e Bardhë
Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, arriti në Shtëpinë e Bardhë, i shoqëruar nga zonja e parë, Jill, dhe anëtarë të tjerë të familjes së tij.
Biden bëri të mërkurën betimin si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara.
Biden merr përsipër llogarinë @POTUS në Twitter
Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, mori përsipër llogarinë në Twitter të presidentit amerikan
“Nuk ka kohë për të humbur kur bëhet fjalë për trajtimin e krizave me të cilat përballemi”, shkroi mes tjerash Biden nga llogaria @POTUS.
POTUS është akronim për presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Twitter e ka transferuar llogarinë @POTUS tek administrata Biden pak minuta pasi presidenti i ri ka bërë betimin.
Twitter e ka pastruar llogarinë nga ndjekësit përpara se të bënte tranzicionin.
Që atëherë, llogaria ka mbledhur mbi 3.6 milionë ndjekës të rinj.
Biden zhbën disa politika të Trumpit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, nënshkroi disa urdhra ekzekutivë që zhbëjnë disa politika të paraardhësit të tij, Donald Trump.
Urdhri i parë i tillë e bën të detyrueshme veshjen e maskës nga punonjësit federalë, si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Me urdhrat e tjerë të nënshkruar nga Biden, mes tjerash, ndalohet ndërtimi i murit në kufirin e SHBA-së me Meksikën, hiqen ndalesat e udhëtimit nga disa vende kryesisht me shumicë myslimane, si dhe anulohet vendimi për tërheqjen e SHBA-së nga Marrëveshja e Parisit për Klimën.
Biden bëri betimin e presidentit të mërkurën në mesditë, sipas kohës lokale.
“Nuk ka kohë për të humbur kur bëhet fjalë për trajtimin e krizave me të cilat përballemi”, shkroi Biden më herët në Twitter.
Në këtë video mund të shikoni se si ka rrjedhur dita e inaugurimit të presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden: