Kamala Harris bën betimin e nënpresidentes
Nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, bëri betimin në pozitën e re.
Harris është nënpresidentja e parë grua dhe me ngjyrë në historinë e SHBA-së.
Ajo bëri betimin para gjykatëses së Gjykatës Supreme, Sonia Sotomayor.
Biden bën betimin e presidentit
Demokrati Joe Biden bëri betimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara.
“Betohem solemnisht se do ta përmbush me besnikëri detyrën time si president i Shteteve të Bashkuara dhe se do ta ruaj dhe mbroj më së miri Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara. Me ndihmo, Zot”, tha Biden, teksa u betua para gjykatësit të Gjykatës Supreme, John Roberts.
Anëtarët e Gardës Kombëtare përshëndesin, gjatë inaugurimit të presidentit Joe Biden
Biden: Kjo është dita e demokracisë
“Kjo është dita e Amerikës. Kjo është dita e demokracisë. Një ditë e historisë dhe shpresës”, tha presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, pasi bëri betimin në platformën e Kongresit amerikan.
“Amerika është provuar dhe është ngritur ndaj sfidave. Sot, ne festojmë jo fitoren e një kandidati, por të një kauze, një kauze të demokracisë”.
“Ne mësuam përsëri se demokracia është e çmuar. Demokracia është e brishtë dhe, në këtë moment, miqtë e mi, demokracia ka mbizotëruar”, tha Biden, duke u zotuar se do të jetë president i të gjithë amerikanëve.
Biden u inaugurua dy javë pasi mbështetës të presidentit të deritashëm, Donald Trump, sulmuan ndërtesën e Kongresit amerikan, në përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.
Pesë njerëz kanë mbetur të vdekur në trazira.