Harris nderon gratë që “shtruan rrugën për këtë moment”
Pas pak orësh, Kamala Harris do të bëhet nënpresidentja e parë amerikane grua dhe me ngjyrë.
Derisa përgatitet të marrë rolin, ajo nderoi gratë që, siç tha, kanë ardhur para saj.
“Unë jam këtu sot për shkak të grave që erdhën para meje”, shkroi Harris në Twitter.
Në një video shoqëruese, ajo përmendi nënën e saj, gratë me ngjyrë, gratë aziatike, të bardha, latine, autoktone, të cilat tha se “kanë shtruar rrugën për këtë moment”.
"Është një ditë e re në Amerikë"
Kështu shkroi presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, në profilin e tij në Facebook, pak orë para se të bëjë betimin.
Biden do të bëjë betimin si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara.
Ai i ka fituar zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit kundrejt presidentit të deritanishëm, Donald Trump.
Trump i lë letër Bidenit
Shtëpia e Bardhë tha se presidenti në largim, Donald Trump, i ka lënë një letër pasardhësit të tij, Joe Biden.
Zëvendësi i sekretarit për media, Judd Deere, refuzoi të zbulojë se çfarë i ka shkruar Trump Bidenit, duke u thirrur në privatësinë e komunikimit midis dy presidentëve, shkruan AP.
Trump ka refuzuar të pranojë publikusht humbjen kundrejt Bidenit në zgjedhje dhe në fjalimet e tij lamtumirëse, ai nuk e ka përmendur me emër presidentin e zgjedhur.
Lënia e letrës është një traditë që e ndjekin presidentët amerikanë.
Trump, megjithatë, i ka thyer disa tradita të tjera.
Ai nuk merr pjesë në inaugurimin e Bidenit, duke u bërë presidenti i parë në 152 vjet që bën një gjë të tillë.
Trump po ashtu nuk e ka ftuar Bidenin për takim në Shtëpinë e Bardhë, pasi Biden është shpallur fitues i zgjedhjeve të 3 nëntorit.
Obama uron Bidenin
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, uroi presidentin e zgjedhur, Joe Biden, i cili pas pak orësh do të bëjë betimin.
“Urime mikut tim, presidentit Joe Biden! Kjo është koha juaj”, shkroi Obama në Twitter.
Biden ka qenë zëvendës i Obamës, kur ky i fundit ka qenë president, nga viti 2009 deri më 2017.