Bashkëpunëtorët e politikanit të ndjerë opozitar, Aleksei Navalny, thanë se nuk po mund të gjejnë një vend në kryeqytetin rus për të organizuar një ceremoni publike të lamtumirës për kritikun e Kremlinit, pasi nëna e tij tha se është shantazhuar nga zyrtarët që të mbajë të fshehtë një ceremoni të lamtumirës për të birin.
“Ne kemi thirrur shumicën e agjencive private dhe shtetërore të funeraleve, entitetet komerciale dhe ato që organizojnë ceremoni të lamtumirës. Disa thanë se i kanë të zëna vendet, të tjerët refuzuan të flisnin pasi dëgjonin emrin e Navalnyt”, tha zëdhënësja Kyra Yarmysh përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter.
“Në një vend na thanë direkt që janë urdhëruar që të mos bashkëpunojnë me ne”, shtoi ajo, një ditë pasi publikoi një postim ku thuhej se ekipi i Navalnyt po kërkonte një vend për të organizuar një ceremoni publike të lamtumirës të premten.
Familjarët e Navalnyt ende nuk kanë konfirmuar detaje për ceremoninë e lamtumirës dhe funeralin për kritikun e Kremlinit.
Më 26 shkurt, në kanalin Baza në Telegram, duke cituar burime të paidentifikuara u tha se në varrezën Borisovskoje në Moskë, punëtorët kishin nisur përgatitjet për varrosjen e Navalnyt gjatë natës, duke shtuar se data preliminare për këtë ceremoni ishte caktuar 29 shkurti.
Disa kanale në Telegram kanë përmendur vende të mundshme ku Navalny mund të varroset dhe që të gjitha varrezat e përmendura ishin në Moskë.
Trupi i Navalnyt iu dorëzua nënës së tij, Lyudmila Navalnaya më 24 shkurt, më shumë se një javë pasi ai vdiq në rrethana të dyshimta në një burg në Arktik. Ende nuk është bërë publike shkaku i vdekjes së 47-vjeçarit.
Para se t’ia dorëzonin trupin e të birit, nëna e tij tha se autoritetet kishin vendosur kushte se ku, kur dhe si do të varrosej Navalny, duke shtuar se autoritetet dëshironin që ceremonia të ishte e fshehtë.
Qindra rusë janë arrestuar gjatë homazheve për Navalnyn në mbarë Rusinë.
Familjarët e Navalnyt, bashkëpunëtorët e tij dhe zyrtarët perëndimorë kanë fajësuar presidentin rus, Vladimir Putin, për vdekjen e tij. Zyrtarët rusë kanë hedhur poshtë këto akuza.
Navalny vdiq derisa po vuante një dënim prej 19 vjetësh burgim nën akuza që përfshinin ekstremizëm. Ai, mbështetësit e tij, zyrtarët perëndimorë dhe organizatat për të drejtat e njeriut i kishin cilësuar akuzat si të motivuara politikisht.