Ndërlidhjet

Çekia: Çmimi tavan për gazin rus s’është zgjidhje për krizën energjetike


Logo e kompanisë ruse të gazit, Gazprom. Fotografi ilustruese.
Logo e kompanisë ruse të gazit, Gazprom. Fotografi ilustruese.

Ministri i Industrisë së Republikës Çeke, Jozef Sikela, tha se vendosja e çmimit tavan në gazin rus nuk është zgjidhje për krizën energjetike me të cilën po përballet Bashkimi Evropian. Ai tha se ministrat e Energjisë së bllokut nuk duhet ta diskutojnë këtë opsion gjatë takimit që do të mbahet këtë javë.

Duke folur para një komuniteti të Senatit çek më 7 shtator, Sikela tha se çmimi tavan është një mjet politik, por jo zgjidhje.

“Për mendimin tim, ky është një propozim jokonstruktiv. Ka të bëjë më shumë me një sanksion shtesë ndaj Rusisë sesa me zgjidhjen e krizës aktuale të energjisë në Evropë. Ne nuk duam të përgatisim më shumë sanksione tash për tash, por duam të zgjidhim situatën e energjisë”, tha ai.

Zyrtarët çekë kanë thirrur një mbledhje të posaçme të këshillit më 9 shtator, pas rritjes së frikës se gjatë këtij dimri do të ketë mungesë të furnizimeve me karburante. Evropa po tenton të gjejë alternativa për energjinë ruse, teksa i ka vendosur sanksione të ndryshme ekonomike Moskës për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.

Sikela ka thënë se një prej opsioneve është që të vendoset çmimi maksimal për prodhimin e elektricitetit përveç atij që prodhohet nga gazi, pra nëse vendoset një masë e tillë atëherë do të prekeshin çmimet e energjisë së prodhuar nga karburantet bërthamore, qymyri dhe burimet e ripërtërishme.

Një opsion alternativ, tha ai, është ndarja e çmimit të gazit natyror nga çmimi i energjisë që prodhohet përmes termocentraleve që shndërrojnë gazin në elektricitet dhe kjo normalisht bën edhe vendosjen e çmimeve për konsumatorët.

Çekia aktualisht udhëheq me Presidencën e BE-së.

Qëkur liderët e G7-s dhe ata perëndimorë kanë propozuar idenë e çmimit tavan për importet e gazit rus, Moska ka kërcënuar me ndërprerjen e furnizimeve dhe aktualisht ka pezulluar dërgesat me gaz për në Evropë.

Sipas statistikave, importet e gazit rus për në BE veçse kanë rënë për 45 për qind nga viti i kaluar në rreth 40 për qind në prillin e këtij viti.

Që nga nisja e pushtimit të Ukrainës në fund të shkurtit, gjiganti shtetëror i energjisë ruse, Gazprom ka ndërprerë dërgesat me gaz në disa shtete.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG