Ndërlidhjet

Çekët do të blejnë municione për Ukrainën me interesin e aseteve të ngrira ruse


Ministrja çeke e Mbrojtjes, Jana Cernochova.
Ministrja çeke e Mbrojtjes, Jana Cernochova.

Republika Çeke do ta përdorë një pjesë të të hyrave të mbledhura nga interesi i fituar prej aseteve të ngrira ruse në Bashkimin Evropian, për të blerë qindra mijëra predha artilerie për Ukrainën, ka thënë Ministria çeke e Mbrojtjes, të martën.

Shtetet perëndimore kanë bllokuar asete ruse në vlerë të 300 miliardë dollarëve, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Shtetet e BE-së janë duke mbledhur interesin e fituar prej aseteve – ku përfshihen obligacione dhe letra të tjera me vlerë, të blera prej Bankës Qendrore Ruse – dhe po e ndajnë për një fond të bllokut evropian për t’i ndihmuar Ukrainës, teksa lufton pushtimin rus.

Qeveritë e BE-së janë pajtuar në qershor për t’i përdorur 1.4 miliard euro prej interesit të aseteve, për të blerë armë dhe për t’i ndihmuar në forma tjera Ukrainës.

Ministrja çeke e Mbrojtjes, Jana Cernochova, ka thënë se disa prej parave mund të shfrytëzohen për të blerë artileri për Ukrainën, me financat e mbledhura nga partnerët perëndimorë.

“Falë të hyrave të siguruara prej financave të ngrira ruse, ne do të mund ta furnizojmë Ukrainën me dhjetëra mijëra fishekë”, ka thënë ministrja Jana Cernochova.

Ministria nuk ka dhënë hollësi më shumë, mirëpo ka thënë se pajisjet do të dorëzohen “në muajt vijues”, dhe që do të kenë efekt të shpejtë në fushëbetejë.

Moska nuk i ka komentuar deklaratat e zyrtarëve çekë.

Në korrik, Kremlini ka thënë se plani për t’i përdorur të hyrat prej interesit të aseteve të ngrira, në ndihmë ushtarake për Ukrainën, përbën “vjedhje” dhe që do të merren masa ligjore ndaj secilit që është përfshirë në këtë vendim.

Zyrtarët çekë kanë thënë se Ukraina e ka pranuar 50.000 – 100.000 fishekë në kuadër të kësaj iniciative në qershor, dhe që dërgesa nisen çdo muaj.

Përveç këtyre fondeve, çekët kanë mbledhur rreth 1.7 miliard euro nga partnerët perëndimorë në maj, fonde që sipas Qeverisë në Pragë janë të mjaftueshme për të blerë gati një milion fishekë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG