Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, beson se ankesat e opozitës lidhur me mënyrën se si dhanë dorëheqje Albin Kurti dhe anëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar, që janë zgjedhur deputetë, janë të bazuara.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës dështoi sot pasi deputetët nuk e votuan raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve.
PDK-ja dhe LDK-ja nuk i pranuan dorëheqjet e dorëzuara nga kabineti qeveritar dhe insistuan në dorëheqje formale të tyre për të shmangur konfliktin e interesit mes funksionit të ministrit dhe deputetit.
Kurti i ka akuzuar këto parti për "sulm brendainstitucional", por Cakolli thotë se argumenti i opozitës ka bazë ligjore.
“Dorëheqja e kryeministrit nuk është e mjaftueshme – çdo ministër që ka fituar mandat si deputet duhet të dorëzojë dorëheqjen individualisht dhe në rrugë zyrtare”, thotë mes tjerash Cakolli.
Ai thekson se nuk është e pranueshme që këto dokumente të dorëzohen në mënyrë informale apo përmes individëve të ndryshëm në ambientet e Kuvendit. Procedura e duhur përfshin dorëzimin zyrtar në Sekretarinë e Kuvendit, e cila më pas e përcjell dokumentacionin tek Komisioni përkatës.
“Sepse unë besoj që nuk është e hijshme që këto të sillen nga individë të caktuar, të barten shkresat me dorë nëpër hollët e Kuvendit. Por, ka përcaktim të procedurave se si bëhet pranimi i një shkrese nga Qeveria”, thotë Cakolli.
Neni 26 i Ligjit për Qeverinë e Republikës së Kosovës
Papajtueshmëria me funksionin e anëtarit të Qeverisë dhe parandalimi i konfliktit të interesit
1. Në rast se anëtari i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i njëjti duhet të jap dorëheqje nga posti i anëtarit të Qeverisë para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.
2. Anëtarët e Qeverisë nuk mund të:
2.1. Ushtrojnë asnjë funksion tjetër publik, përveç nëse është pjesë e detyrave zyrtare siç përcaktohet me legjislacionin në fuqi;
2.2. Ushtrojnë asnjë funksion në pushtetin lokal;
2.3. Ushtrojnë ndonjë funksion si të zgjedhur ose të emëruar jashtë detyrave të tyre zyrtare ose të veprojnë bazuar në një kontratë pune ose kontratë për ofrimin e shërbimeve, përveç për qëllime të hulumtimit ose mësimdhënies, pasi ta informojnë me shkrim Kryeministrin për qëllimet e tilla.
3. Përveç kufizimeve të këtij neni, anëtarët e Qeverisë i nënshtrohen edhe kufizimeve të përcaktuara me legjislacionin përkatës për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.
4. Të gjitha kufizimet e përcaktuara me këtë nen për anëtarët e Qeverisë vlejnë edhe për zëvendësministrat.
Por, ai thotë se ndërprerja nuk u shkaktua vetëm nga mungesa e dorëheqjeve formale të ministrave dhe kryeministrit, por edhe për shkak të mungesës së numrave të nevojshëm për të votuar raportin e Komisionit për Verifikimin e Mandateve.
Në seancën konstituive duhej që deputetët, pas miratimit të raportit, të bënin betimin dhe të zgjidhinin kryetarin dhe nënkryetarët. Për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit duhen 61 vota për, njëjtë sa edhe për formimin e Qeverisë së re.
Cakolli sqaron se Kuvendi aktualisht nuk e ka shumicën e nevojshme prej 61 votash për të vazhduar procedurat, gjë që e bën të pamundur konstituimin e plotë.
Në ndërprerje të seancës, kryesuesi Avni Dehari tha se do t'i drejtohen presidentes, Vjosa Osmani, për të sqaruar se si të veprohet më tutje. Por, këshilltari për media në Zyrën e Presidencës, Bekim Kupina, tha për REL-in se presidentja Osmani nuk ka marrë asnjë letër deri më tani.
Lidhur me rolin e presidentes në këtë proces, Cakolli thotë se pas thirrjes së seancës së parë, presidentja nuk ka më kompetenca në menaxhimin e mëtejshëm të seancave konstituive.
"Roli i presidentes është i kufizuar vetëm tek thirrja e seancës, e pastaj menaxhimi, përmbyllja e saj, votimi i pikave të rendit të ditës, zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve, janë të gjitha përgjegjësi e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, e ku normalisht barrën më të madhe politike e ka partia e parë e cila duhet t'i sigurojë të paktën 61 numra në këtë drejtim", thotë ai.
Pasi dështoi konstituimi i Kuvendit të Kosovës në seancën e sotshme, Rregullorja e Kuvendit përcakton që një seancë e re duhet të thirret brenda 48 orësh, që do të thotë se seanca e re duhet të mbahet më së voni deri të enjten.
Cakolli thotë se seanca e ndërprerë sot nuk nënkupton kthim në pikën zero.
“Më së voni deri të enjten duhet të mbahet një seancë e re, megjithatë ajo mund të thirret edhe më herët, në varësi të sigurimit të votave të nevojshme për miratimin e pikave të rendit të ditës”, thotë Cakolli.