Ndërlidhjet

Bullgaria do ta lejojë rafinerinë ruse të eksportojë naftë


Rezervuarët e rafinerisë Lukoil pranë qytetit të Burgasit në Bullgari, në bregun e Detit të Zi.
Rezervuarët e rafinerisë Lukoil pranë qytetit të Burgasit në Bullgari, në bregun e Detit të Zi.

Bullgaria do ta lejojë një rafineri të naftës, nën pronësi të një kompanie ruse, të vazhdojë operimin dhe eksportimin e naftës në Bashkim Evropian deri në fund të vitit 2024. Kjo u bë me gjithë paralajmërimet nga Brukseli se një gjë e tillë është kundër sanksioneve të vendosura nga blloku.

Marrëveshja mes Bullgarisë dhe kompanisë Lukoil do të kontribuojë me 350 milionë euro në buxhetin e Bullgarisë, sipas vlerësimeve të bëra nga qeveria në Sofje.

“Ne kemi arritur diçka shumë të rëndësishme: nga 1 janari 2023, Lukoil do t’i bëjë në Bullgari të gjitha pagesat për përfitim dhe tatim në prodhim dhe jo siç janë bërë më parë në Holandë apo Zvicër”, tha zëvendëskryeministri bullgar, Hristo Alexiev, pas bisedimeve të zhvilluara me menaxherët e kompanisë ruse të naftës.

Nga kjo marrëveshje përfiton edhe Lukoil, pasi që mund ta përdorë selinë e saj në Bullgarisë për t’iu shmangur pjesërisht embargos së BE-së mbi produktet ruse të naftës.

“Rafineria nuk mund të punojë nëse eksportet kufizohen”, tha drejtori ekzekutiv i Lukoil, Ilshat Sharafutdinov.

Kjo rafineri - e vetmja në vendin ballkanik - është burimi kryesor i naftës dhe benzinës që shitet në tregun bullgar, por gjysma e karburantit të prodhuar aty është vetëm për eksport.

Ajo kontribuon me rreth 9% të prodhimit ekonomik të vendit dhe punëson disa mijëra njerëz. Përveç se do të humbej kapaciteti i rafinimit të naftës, mbyllja e saj do të shkaktonte probleme serioze në tregun e punës në Bullgari.

Në qershor, BE-ja e ndaloi blerjen, importimin apo transferimin e naftës së parafinuar ruse duke filluar nga 5 dhjetori dhe produkteve të tjera të rafinuara të naftës nga Rusia duke nisur nga 5 shkurti.

Bullgaria përbën përjashtim nga ky vendim dhe mund të vazhdojë të importojë naftë bruto dhe produkte nafte përmes transportit detar deri në fund të vitit 2024. Megjithatë, ajo nuk mund të eksportojë produkte nafte të prodhuara nga nafta ruse në Bullgari.

Zyrtarë nga Bashkimi Evropian kanë thënë se produktet e naftës që do të eksportohen nga Bullgaria duhet të jenë bullgare.

“Produktet e naftës që do të nxirren nga nafta Urals do të kenë origjinën nga Bullgaria dhe mund të eksportohen", tha të hënën zëvendësministrja e financave, Lyudmila Petkova, duke iu referuar eksportit të naftës së papërpunuar të Rusisë.

Qeveria e Bullgarisë ka argumentuar se ndalimi i eksportit do ta dëmtonte ekonominë e vendit, pasi që do ta akumulonte një deficit në tregun e saj të brendshëm pasi rafineria e Lukoil-it të ndalojë prodhimin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG