Ndërlidhjet

Zgjedhjet në Bullgari, Shkupi pret qeveri stabile


Kuti votimi në zgjedhjet parlamentare në Bullgari, prill 2023.
Kuti votimi në zgjedhjet parlamentare në Bullgari, prill 2023.

Maqedonia e Veriut pret që në Bullgari të zgjidhet një qeveri politike pas zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën të dielën në këtë shtet.

Në zgjedhjet e pesta parlamentare në dy vjetët e fundit, sipas rezultateve paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Bullgarisë, koalicioni i kryesuar nga partia GERB e ish-kryeministrit Bojko Borisov ka fituar me 26.67 për qind të votave, ndërsa në vend të dytë radhitet koalicioni i partive Vazhdojmë me ndryshimin, që drejtohet nga ish-kryeministri tjetër, Kiril Petkov me 24.68 për qind të votave.

Në vendin e tretë është pozicionuar partia Ripërtëritja (Prerodba) me 14.58 për qind të votave dhe pas saj vjen partia demokratike e turqve me 12.69 për qind të votave.
Në Parlamentin bullgar prej 240 vendesh, pritet të hyjnë 6 parti politike apo koalicione.

Zgjedhjet parlamentare në Bullgari, në veçanti rezultati i tyre po ndiqen me vëmendje në Maqedoninë e Veriut për shkak të kontesteve që kanë dy vendet dhe pritjet e Sofjes për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës maqedonase, si popull shtetformues.

Dy vendet kanë mosmarrëveshje edhe për çështjet historike, ndërsa ato me gjuhën dhe identitetin besojnë t’i kenë zgjidhur bazuar në atë që njihet si “propozimi francez”.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, tha se pret që Qeveria e re bullgare t’u përmbahet standardeve dhe vlerave evropiane dhe të angazhohet për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.

“Ne, si shtet fqinj, dëshirojmë që Bullgaria të zgjedhë një qeveri politike, e cila do të jetë e orientuar mbi parimet dhe vlerat e Bashkimit Evropian, respektimin e shteteve fqinje dhe forcimin e raporteve të fqinjësisë së mirë. Besojmë se ajo sikur edhe shtetet tjera do të angazhohet për zgjerimin e BE-së me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor si alternativë e vetme për perspektivën e gjithë rajonit dhe të qytetarëve të saj”, tha Kovaçevski.

Bullgaria tash pesë vjet përballet me krizë të thellë politike që është reflektuar edhe në raportet me Maqedoninë e Veriut pasi në përbërjen e saj ka pasur parti që kanë kundërshtuar ashpër çdo marrëveshje me Shkupin dhe në disa raste edhe janë larguar nga qeveria duke e çuar vendin në zgjedhje të reja.

Marjan Gjorçev, ish-ambasador i Maqedonisë së Veriut në Sofje shpreson që pas zgjedhjeve të së dielës Bullgaria të ndryshojë kursin e veprimit të saj ndaj Shkupit.

Ai thotë se të dyja vendet duhet të angazhohen dhe të punojnë për të ardhmen e tyre dhe forcimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, pasi siç shprehet, “rrotat e historisë nuk mund të kthehen mbrapa”.

“Mendoj se edhe Bullgaria ka nisur të vetëdijesohet dhe ta kuptojë se kështu më nuk mund të vazhdohet. Elita politike ka nisur ta kuptojë se qëndrimi jonë në këto çështje është i drejtë pasi kërkojmë atë që është e paraparë me të gjitha konventat ndërkombëtare, me kriteret e Kopenhagës, se nuk duam të bisedojmë për standardet evropiane pasi për to nuk bisedohet dhe këtë duhet ta ketë të qartë edhe Bullgaria, e cila është pjesë e klubit evropian”, thotë Gjorçev.

Por, ai konsideron se edhe BE-ja duhet të luajë rolin e saj dhe të mos lejojë që anëtarët e saj të veprojnë në kundërshtim me vlerat dhe parimet evropiane.

“Bisedimet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë janë bisedime partneriteti. Ne, vërtet, kërkojmë të jemi pjesë e unionit, por jo të hyjmë atje të dëmtuar. Duhet të anëtarësohemi me dinjitet dhe të dëshmojmë se e meritojmë të jemi pjesë e BE-së”, shprehet Gjorçev.

Bullgaria, si shtet anëtar i BE-së në vitin 2020 kishte vendosur veto ndaj nisjes së bisedimeve mes Brukselit dhe Shkupit, ndërsa këtë mund ta përsërisë edhe në procesin e mëtejmë të BE-së, nëse Maqedonia e Veriut nuk i përmbushë detyrimet nga marrëveshja me Bullgarinë që ishte arritur në qershor të vitit 2022.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG