Ofensiva e Rusisë në Ukrainë “ka ngecur në të gjitha frontet” ka thënë Ministria e Mbrojtjes në Britani të Madhe, më 17 mars.
Në vlerësimin e saj është thënë se forcat ruse “kanë bërë përparim minimal në tokë, det apo ajër në ditët e fundit dhe se vazhdojnë të përballen me humbje të mëdha”.
“Rezistenca ukrainase vazhdon të mbetet e koordinuar mirë. Pjesa më e madhe e territorit ukrainas, përfshirë qytetet e mëdha, vazhdojnë të jenë në duart e ukrainasve”.
Ushtria ukrainase ka thënë se përpjekjet e Rusisë tani janë të fokusuara në sulme ajrore, duke bombarduar zonat me popullsi civile, pasi sipas saj, ushtria ruse nuk ka qenë e suksesshme në operacionet tokësore.
Moska ka thënë se ka identifikuar 500 ushtarë rus të vdekur deri më tani.
Inteligjenca amerikane vlerëson se rreth 7,000 pjesëtarë të personelit rus kanë vdekur, prej nisjes së luftës.
Mbi 3 milionë njerëz kanë ikur nga Ukraina, prej kur presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.
- Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.