Ambasada britanike në Prishtinë tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk i ka dërguar QUINT-it planin e tij për shtensionimin e situatës në veri, megjithatë gjatë takimit më 13 qershor, ambasadorët kanë diskutuar për këtë plan.
Kurti të martën paraqiti një plan pesëpikësh, që tha se do të ndihmonte në shtensionimin e situatës. Ai tha se këtë plan ai ka dërguar shefit të diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe ua ka paraqitur edhe përfaqësuesve të shteteve të QUINT-it.
Plani pesëpikësh i Kurtit për uljen e tensioneve në veri
- Sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët
- Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës
- Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë.
- Qeveria e Kosovës të koordinohet me të gjithë aktorët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri
- Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave
Në QUINT bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Franca dhe Gjermania.
“Qartazi, zgjedhjet e reja lokale, ku do të merrte pjesë edhe popullata serbe e Kosovës, janë një zgjidhje e mundshme. Megjithatë, qëndrimi i Mbretërisë së Bashkuar vazhdon të jetë se fillimisht duhet të ndërmerren hapa për të shtensionuar menjëherë situatën, posaçërisht duhet të largohen njësitë speciale të policisë nga ndërtesat e komunës së Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut dhe se kryetarët e këtyre komunave të vazhdojnë punën e tyre nga lokacione alternative”, thanë për Radion Evropa e Lirë nga Ambasada britanike në pyetjen lidhur me qëndrimin e tyre për planin e prezantuar nga Kurti.
Bashkimi Evropian kritikoi Kurtin duke thënë se deri më tani “nuk ka ndërmarrë hapa të duhur” për të shtensionauar situatën.
“Deri më tani nuk kemi parë asnjë hap të menjëhershëm dhe vendimtarë nga kryeministri Kurti. Zhvillimet e fundit në veri të Kosovës vetëm dëshmojnë se përshkallëzimi po vazhdon dhe kjo shkon kundër interesave të Kosovës dhe të gjithë njerëzve në Kosovë”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Ai tha se blloku evropian po vazhdon shqyrtimin e masave ndaj Kosovës, nëse Prishtina nuk merr hapat për të shtensionuar situatën.
Në ditën e njëjtë që Kurti njoftoi për planin e tij, Policia e Kosovës zhvilloi një aksion në Mitrovicë të Veriut. Gjatë këtij aksioni u arrestuan Millun Millenkoviq- Llune, që ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, e ka cilësuar si “një nga udhëheqësit e formacionit kriminal 'Mbrojtja Civile' dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë”.
Sipas Sveçlës, ai dyshohet se ka organizuar sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në veri.
Tensionet në veriun e Kosovës nisën më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të vendosen në objektet komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë.
Këta kryetarë u zgjodhën më 23 prill, votime që u bojkotuan nga partitë dhe popullata lokale serbe.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet mbetën të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.
BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur Kurtit tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe kthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.