Ndërlidhjet

Varhelyi optimist se Bosnja mund të marrë në dhjetor statusin e vendit kandidat


Komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi, gjatë takimit me anëtarët e presidencës së Bosnjë e Hercegovinës.
Komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi, gjatë takimit me anëtarët e presidencës së Bosnjë e Hercegovinës.

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, tha se është optimist se Bosnjë e Hercegovina do të marrë statusin e shtetit kandidat nga blloku evropian në muajin e ardhshëm, nëse plotësohen disa kushte që Brukseli i ka paraqitur së fundmi.

Duke folur gjatë një takimi në Sarajevë, më 28 nëntor, me anëtarët e presidencës trepalësh të Bosnjës, Varhelyi bëri të ditura kushtet. Në to përfshihet luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformat gjyqësore dhe të migrimit, por edhe garancitë për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe mbrojtjen e gazetarëve.

“Rruga evropiane është e hapur, por priten rezultate nga Bosnja. U takon liderëve politikë që këto të bëhen realitet”, tha Varhelyi pas takimit me anëtarët e presidencës Denis Beqiroviq, Zhejko Komshiq dhe Zhejka Cvijanoviq.

Në tetor, Komisioni Evropian rekomandoi statusin kandidat për Bosnjën, por listoi një sërë kushtesh që duhen plotësuar, e të cilat kanë për synim të forcojnë demokracinë e këtij shteti të Ballkanit Perëndimor.

Por, Komisioni vetëm këshillon se cilat shtete duhen të marrin statusin e kandidatit. Vendimi përfundimtar e marrin 27 shtetet anëtare dhe ato duhet të marrin vendim unanim.

Disa shtete – sikurse Austria, Kroacia dhe Sllovenia – kanë kërkuar që Bosnjës t’i mundësohet procedurë e shpejtë, pasi Moldavia dhe Ukraina në qershor morën statusin e vendit kandidat. Të tjerët, përfshirë Holandën, janë shprehur kundër zgjerimit, edhe pse pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës ka thyer rezistencën për shkak të shqetësimeve të sigurisë për Evropën si tërësi.

Varhelyi tha se Komisioni Evropian “dëshiron të shohë rezultate të qarta të cilat mund t’i raportojë para Këshillit të BE-së gjatë takimit në dhjetor”, ku pritet të vendoset nëse do t’i jepet statusi i kandidatit Bosnjës, pasi “ne jemi në një moment të ri gjeopolitik të luftës në Ukrainë”.

“Është në interesin tonë që të forcojmë partneritetet tona”, tha ai.

Bosnja përbëhet nga Federata e Bosnjë e Hercegovinës, ku boshnjakët që janë shumicë dhe entiteti kroat që është minoritet. Federata ka buxhetin katër herë më të lartë sesa Qeveria kombëtare. Në Bosnjë po ashtu është edhe Republika Sërpska, ku jeton shumica serbe, dhe qarku vetëqeverisës i Bërçkos. Federata po ashtu është e ndarë në dhjetë kantone.

Cvijanoviq, që është anëtarja serbe e presidencës së Bosnjës, tha se është e përkushtuar që të punojë “në çështjet që mund t’i realizojmë”, ndërkaq Beqiroviq – anëtari boshnjak i presidencës – tha se takimi me Varhelyin ishte “inkurajues dhe substancial”.

“Marrja e statusit kandidat do të ishte një inkurajim për të gjithë popullin e Bosnjë e Hercegovinës”, tha ai.

Ndarja në Federatën boshnjake dhe kroate dhe në entitetin e Republikës Sërpska, u bë në bazë të Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995, që i dha fund luftës tre vjeçare në këtë shtet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG