Ndërlidhjet

Bosnja shënon 22-vjetorin e Masakrës së Srebrenicës


Potoçari, 11 korrik 2017.
Potoçari, 11 korrik 2017.

Bosnja dhe Hercegovina shënon 22 vjet nga Masakra e Srebrenicës – mizoria në të cilën forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë.

Në Qendrën Përkujtimore në Potoçari, të martën u varrosën 71 viktima të gjenocidit – mbetjet e të cilave u identifikuan së voni.

Rreth 6,504 trupa janë zhvarrosur deri më tani nga varret masive dhe janë rivarrosur në Potoçari. Kërkimet vazhdojnë edhe për mbi 1,000 të tjerë.

Mijëra njerëzve të mbledhur në Potoçari iu drejtua të martën anëtari mysliman i presidencës trepalëshe të Bosnjës, Bakir Izetbegoviq.

Ai i bëri thirrje popullit serb që të mos e mohojë gjenocidin dhe të mos i mbështesë ata që, sipas tij, me provokime dhe kërcënime “hedhin kripë mbi varrën” e familjarëve të viktimave.

“Edhe një herë, i bëjmë thirrje popullit serb dhe elitës së tij politike, fetare dhe intelektuale që të pranojnë të vërtetën dhe të ndalojnë së mohuari gjenocidin, i cili është kryer këtu. Ky do të ishte hapi më i rëndësishëm kah pajtimi”, tha Izetbegoviq.

Në vitin 2010, Parlamenti i Serbisë ka miratuar një rezolutë historike, me të cilën ka kërkuar falje për Masakrën e Srebrenicës, por nuk ka prauar se atje ka ndodhur gjenocid.

Në vitin 2004, gjykata e Kombeve të Bashkuara që ka trajtuar krimet në ish-Jugosllavi, i ka emërtuar vrasjet në Srebrenicë si gjenocid.

Të shohësh vdekjen drejt në sy
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:42 0:00

Masakra e Srebrenicës, e kryer në korrik të vitit 1995, është cilësuar si mizoria më e keqe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Srebrenica, atëbotë, është shpallur zonë e sigurt e Kombeve të Bashkuara, por është mbrojtur vetëm nga një numër i vogël i paqeruajtësve holandezë, të armatosur lehtë, të cilët nuk kanë qenë në gjendje t’i ndihmojnë civilët e strehuar aty.

Muajin e kaluar, një gjykatë e apelit në Holandë konfirmoi se ky vend është përgjegjës për vdekjen e 350 boshnjakëve në Masakrën e Srebrenicës.

Gjykata e Hagës e ka dënuar ish-udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, me 40 vjet burgim, pasi është shpallur fajtor për gjenocid dhe krime lufte, të kryera gjatë luftës në Bosnje më 1992-95.

Ratko Mlladiq, gjenerali serb që ka komanduar forcat serbe të Bosnjës dhe akuzohet për orkestrim të Masakrës së Srebrenicës, është duke pritur vendimin për të në Hagë.

Me rastin e 22-vjetorit të masakrës, shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, dhe komisionari për zgjerim i BE-së, Johanns Hahn, lëshuan një deklaratë të përbashkët, duke thënë se vlerat, si: respekti për dinjitetin njerëzor, liria, demokracia dhe barazia, janë shkelur në mënyrë dramatike 22 vjet më parë.

“Këto vlera janë tani në qendër të angazhimit të BE-së me Bosnjën dhe qytetarët e saj, në rrugën e integrimit të këtij vendi në BE”, thanë Mogherini dhe Hahn.

Parlamenti Evropian e ka shpallur 11 korrikun Ditë të përkujtimit të gjenocidit në gjithë Bashkimin Evropian dhe u ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor të veprojnë ngjashëm.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG