Ndërlidhjet

Borrell thotë se disa vende evropiane po tentojnë t’i frikësojnë gjykatësit e GJNP-së


Shefi i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.
Shefi i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

Shefi i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thënë të premten se disa vende evropiane po përpiqen t’i frikësojnë gjykatësit e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJND), për shkak të rastit kundër liderëve të Izraelit.

Ai u bëri thirrje atyre të mos “ndërhyrjen” dhe ta respektojnë gjykatën.

Kryeprokurori i GJNP-së, Karim Khan, njoftoi të hënën se ka bërë kërkesë për lëshimin e fletarrestimeve kundër kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ministrit izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, si dhe kundër tre liderëve të Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja.

“Prokurori nuk ka bërë asgjë më shumë se një akuzë dhe për këtë do të vendosë gjykata. U bëj thirrje të gjithëve, duke nisur nga Qeveria e Izraelit dhe disa qeveri evropiane, të mos i frikësojnë gjykatësit”, tha Borrell për transmetuesin spanjoll TVE.

“Mos i kërcënoni ata, mos tentoni të ndikoni në vendimet e tyre, nganjëherë me kërcënime dhe me diskualifikime shumë të ashpra”, shtoi ai.

Khan se beson se Netanyahu, Gallant, dhe tre liderë të Hamasit - Yehia Sinwar, Mohammed Deif dhe Ismail Haniyeh - janë përgjegjës për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës dhe në Izrael, së paku nga 7 tetori 2023.

Si Izraeli, ashtu edhe Hamasi, e kanë dënuar kërkesën e Khanit për fletarrestime kundër liderëve të tyre.

Izraeli e mohon se po kryen krime lufte në Gazë dhe thotë se GJNP-ja nuk ka juridiksion atje.

Disa vende e kanë dënuar vendimin e prokurorit të GJNP-së për të kërkuar fletarrestime për liderët e Izraelit, përfshirë Shtetet e Bashkuara, aleatin kryesor të Izraelit, i cili nuk është pjesë e GJNP-së.

Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.

Lufta izraelite i ka vrarë më shumë se 35.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve të Hamasit.

Por, lufta izraelite ka shkaktuar edhe krizë humanitare në Gazë, duke bërë që rreth 80 për qind e popullsisë të zhvendoset dhe qindra mijëra njerëz të vuajnë nga uria, sipas zyrtarëve të OKB-së.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG