Ndërlidhjet

Borrell fton Kurtin dhe Vuçiqin në Bruksel


Kryediplomati evropian, Josep Borrell.
Kryediplomati evropian, Josep Borrell.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Peter Stano, ka thënë të enjten se kryediplomati evropian, Josep Borrell, ka ftuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, por nuk është bërë e ditur data.

“Në disa raste kemi thënë se do të ketë takime në nivel të lartë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq. Përfaqësuesi i lartë tashmë i ka ftuar ata që të vijnë në Bruksel dhe ne do të japin datën në kohën e duhur“ ka thënë ai.

Borrell ka paralajmëruar ftesë për dy liderët prej 23 nëntorit, pasi Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave.

Kosova është pajtuar që të pezullojë planin e saj për riregjistrim të makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës, derisa Serbia është zotuar se nuk do të lëshojë më targa të reja për serbët në veri.

Megjithatë, situata në veri të Kosovës është përshkallëzuar më 6 dhjetor pasi disa grupe të qytetarëve serbë kanë penguar hyrjen e zyrtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor në zyrat e këtij institucioni në veri, me qëllim të përgatitjes për zgjedhje, dhe kështu kanë shkaktuar incidente me armë zjarri.

Për incidente të tilla është raportuar në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Një ditë më vonë, në Mitrovicë të Veriut është raportuar për dy shpërthime me shok bomba.

Zgjedhjet për komunat veriore - Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan - janë caktuar për 18 dhjetor, pasi kryetarët e tyre kanë dhënë dorëheqje si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat.

Përveç tyre, edhe serbët lokalë janë tërhequr nga institucionet e Kosovës në nivel qendror dhe lokal, përfshirë Policinë e Kosovës dhe gjyqësorin.

Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila me mbështetjen e Beogradit zyrtar i udhëhoqi këto komuna - i kundërshton këto zgjedhje.

Shtetet e Bashkuara kanë vlerësuar se, aktualisht, nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës më 18 dhjetor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se me intensifikimin e sulmeve në veri do të ketë prani të shtuar të policisë në këtë pjesë të vendit.

Autoritetet e Kosovës kanë akuzuar “grupet kriminale” për sulmet në veri, duke thënë se ato “paguhen dhe drejtohen nga Serbia” për incidentet në veri të Kosovës.

Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG