Ndërlidhjet

Borrell: Bashkëpunimi i BE-së dhe SHBA-së do ta ndihmojë dialogun


Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell.
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, konfirmoi se, së voni, ka biseduar me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Borrell tha se tani ekziston një bashkëpunim shumë i mirë midis Uashingtonit dhe Brukselit për çështjen e dialogut.

“Pala amerikane nuk po përpiqet më për t’u fuqizuar në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Ky bashkëpunim i ngushtë do ta ndihmojë dialogun”, tha Borrell për gazetarët në Bruksel.

Borrell kryesoi të hënën një takim të ministrave të Jashtëm të BE-së, ku i informoi të pranishmit për rundin e fundit të bisedimeve Kosovë-Serbi, që u mbajt më 15 qershor.

Në këtë takim, për herë të parë u përballën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pa hyrë në detaje, Borrell u tha gazetarëve se ai u ka paraqitur ministrave një raport për rrjedhën e takimit të fundit, si dhe i ka informuar ata për qëllimin për të mbajtur edhe një takim të kësaj natyre përpara fillimit të pushimeve verore.

Gjatë takimit të parë, Kurti dhe Vuçiq ranë dakord vetëm për nevojën e vazhdimit të dialogut.

Është paralajmëruar se takimi i radhës mund të mbahet në fund të korrikut.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë ka nisur qysh në vitin 2011.

Procesi është ndërmjetësuar vazhdimisht nga Bashkimi Evropian dhe është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.

Qëllim i bisedimeve është arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG