Armëpushimi i shpallur nga Rusia në Ukrainë, për Krishtlindjen ortodokse, është thyer pas shkëmbimeve të zjarrit përgjatë vijës së frontit, duke përfshirë në qytetin jugor të Ukrainës, Herson, dhe në rajonin lindor të Luhanskut, thonë zyrtarët ukrainas.
Departamenti i zjarrfikësve në Herson u bombardua më 6 janar, tha Yaroslav Yanushevych, kreu i administratës ushtarake rajonale, i cili tha se personi i vrarë ishte zjarrfikës dhe shtoi se katër të tjerë u plagosën.
Trupat ruse vazhduan sulmet e tyre në Luhansk, pavarësisht armëpushimit të shpallur në mënyrë të njëanshme, tha guvernatori i rajonit, Serhiy Hayday.
Ai tha se Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës më 7 janar do të njoftojë për shkallën e granatimeve dhe sulmeve që ndodhën.
Dy ditë më herët, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi forcat e armatosura ruse që të zbatojnë një armëpushim përgjatë vijës së kontaktit me trupat ukrainase, më 6 dhe 7 janar, për festën e Krishtlindjes ortodokse.
Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi më vonë se forcat ukrainase vazhduan të bombardonin pozicionet e saj.
Zëdhënësi i ministrisë, Igor Konashenkov, raportoi për sulme të shumta ukrainase në rajonet lindore të Donjeck, Luhansk dhe Zaporizhja.
Javën e kaluar Putini i tha homologut turk, Recep Tayyip Erdogan, se është i hapur për dialog me Ukrainën nëse Kievi pranon se territoret e pushtuara nga Moska janë territore ruse.
Sipas njoftimit të Ankarasë, Erdogan i kërkoi Putinit shpalljen e armëpushimit “të njëanshëm” në Ukrainë.
Pushtimi rus i Ukrainës ka nisur më 24 shkurt.