"BE-ja po ndjek me 'shqetësim' ngjarjet në Kosovë"
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian(BE), Peter Stano, konfirmoi se institucionet e BE-së, por edhe shtetet anëtare, po vëzhgojnë “me shqetësim” ngjarjet në Kosovë.
Ai konfirmoi se shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, u ka dërguar ftesë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për një takim në Bruksel, në kuadër të vazhdimit të dialogut.
“Çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm që kërcënon stabilitetin dhe rrezikon lirinë e lëvizjes duhet të ndërpritet”, tha Stano.
Haradinaj: Veprimet e lëna në gjysmë janë humbje për Kosovën
Ramush Haradinaj, kryetar i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për shtyrjen e zbatimit të reciprocitetit për targat dhe dokumentet e Serbisë.
Haradinaj ka thënë më 1 gusht se “Kosova nuk e ka komoditetin të bëjë eksperimente”.
“Operacionet e sigurisë për shtrirjen e sovranitetit duhet të studiohen, të analizohen e të shpjegohen mirë. Çdo veprim i lënë në gjysmë të rrugës, siç ishte ai i mbrëmshmi, është humbje për Kosovën”, ka shkruar ai.
Ai ka theksuar, po ashtu, se afati prej 30 ditësh për zbatimin e reciprocitetit duhet të shfrytëzohet me shumë seriozitet.
Kurti dhe Vuçiqi ftohen në Bruksel për vazhdimin e dialogut
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka ftuar në një takim në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë burimet në bllokun evropian.
Kurti dhe Vuçiq kanë marrë ftesë për vazhdimin e dialogut, ku do të diskutohet për të gjitha çështjet e hapura mes dy shteteve.
Burimet në Bruksel tërheqin vërejtjen se tensionet janë pasoja e drejtëpërdrejt e mungesës së vullentit të liderëve për t'u ulur dhe për të vazhduar dialogun.
Lajmin e plotë mund ta lexoni në linkun më poshtë:
Pamje nga largimi i kamionëve
Këto pamje të bëra në orën 11:00 të datës 1 gusht, tregojnë kamionët që po largohen nga rruga në Rudarë. Serbët lokalë më 31 korrik vendosën barrikada në dy rrugët që çojnë në pikat kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë. Fshati Rudarë gjendet pesë kilometra nga Mitrovica dhe nëpër të kalon magjistralja për në pikëkalimin e Jarinjës.