Ndërlidhjet

Blinken i bën thirrje Putinit të zgjedhë "rrugë paqësore" për Ukrainën


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken flet teksa përshëndet stafin e Ambasadës amerikane në Kiev të Ukrainës më 19 janar, 2022.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken flet teksa përshëndet stafin e Ambasadës amerikane në Kiev të Ukrainës më 19 janar, 2022.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i ka bërë thirrje presidentit rus, Vladimir Putin për të zgjedhur “rrugë diplomatike dhe paqësore”, teksa diplomati i lartë amerikan viziton Ukrainën, në kohën e shqetësimeve se Rusia mund të pushtojë këtë republikë ish-sovjetike.

“Unë besoj shumë fuqishëm se mund të mbajmë këtë çështje në nivel diplomatik dhe paqësor, mirëpo kjo gjë do të jetë në dorën e presidentit Putin”, ka thënë Blinken pas takimit me stafin e Ambasadës amerikane në Kiev më 19 janar.

“Ne e dimë se ka plane për të rritur numrin e forcave edhe më shumë në një periudhë të shkurtër, dhe kjo gjë i jep kapacitet presidentit Putin që për një periudhë të shkurtër të çojë përpara agresionin kundër Ukrainës”, ka paralajmëruar ai.

Më herët, një zyrtar i lartë amerikan, ka thënë se administrata e presidentit Joe Biden ka miratuar muajin e kaluar 200 milionë dollarë shtesë si ndihmë për sigurinë në Kiev, duke thënë se Uashingtoni mbetet “i përkushtuar ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”.

Zyrtari, i cili ka folur në kushte anonimiteti, nuk ka dhënë detaje për përmbajtjen e paketës së ndihmës.

Blinken është takuar në Kiev me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, i cili ka falënderuar Shtetet e Bashkuara për rritje të ndihmës ushtarake ndaj Ukrainës në këtë “kohë të vështirë”.

Rusia ka mbajtur qëndrim të ashpër më 19 janar, pasi zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov ka thënë se nuk mund të ketë bisedime kuptimplota në të ardhmen për kontrollin e armëve, nëse Perëndimi nuk respekton kërkesa ruse.

“Për ne prioritet ka arritja e garancive ligjërisht të obligueshme”, që nënkuptojnë se Ukraina dhe ish-republikat sovjetike nuk i bashkohen NATO-s.

Si përgjigje ndaj informatës për ndihma, Ryabkov i ka bërë thirrje Perëndimit që të mos furnizojë Ukrainën me armë, derisa situatën rreth sigurisë në Evropë e ka konsideruar “kritike”, ka thënë agjencia e lajmeve Interfax.

Më 20 janar, Blinken niset drejt Berlinit, për të biseduar me zyrtarë të Perëndimit rreth unitetit në këtë çështje.

Më 21 janar, diplomati i lartë amerikan do të takohet me homologun e tij rus, Sergei Lavrov në Gjenevë.

Të dy kanë folur përmes telefonit më 18 janar.

Meqë Rusia ka mbledhur rreth 100,000 trupa afër kufirit me Ukrainën dhe një numër forcash për stërvitje të shpejta në Bjellorusi, Perëndimi është i alarmuar për rrezikun e një konflikti të ri.

“Kjo është një situatë jashtëzakonisht e rrezikshme. Ne jemi në një pikë kur Rusia mund të sulmojë Ukrainën në çdo çast”, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki para gazetarëve më 18 janar.

Pozicionimi i forcave të Rusisë afër kufirit me Ukrainën dhe në rajonin e aneksuar të Krimesë, përbën një prej pozicionimeve më të mëdha të forcave ruse prej marsit të vitit 2014, kur Moska ka aneksuar gadishullin ukrainas.

Rusia është duke mbështetur edhe luftëtarët separatistë në luftën që vazhdon në lindje të Ukrainës prej vitit 2014.

Prej atëherë kanë vdekur më shumë se 13,200 njerëz.

Moska ka mohuar planet për sulmin ndaj Ukrainës dhe ka akuzuar NATO-n se po planifikon të pranojë këtë vend si anëtare të aleancës, si dhe pritet të vendosë armatim për sulm atje.

Javën e kaluar, diplomatët rusë janë takuar me zyrtarë të lartë nga Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe kombet evropiane, për të diskutuar kërkesat e Moskës, të cilat nënkuptojnë ristrukturim të arkitekturës së sigurisë në Evropë.

A do të ketë edhe një luftë në Ukrainë?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:10:01 0:00

Bisedimet kanë përfunduar pa marrëveshje, dhe duke ia shtuar këtij fakti edhe retorikën e Moskës, zyrtarët e Perëndimit kanë mbetur të shqetësuar.

Ka shqetësime në rritje në Uashington se sulmi rus mund të niset nga Bjellorusia, ku lideri autoritar, Alyaksandr Lukashenka, është duke qëndruar në pushtet me mbështetje të presidentit rus, Vladimir Putin, pas protestave popullore kundër regjimit të tij 27-vjeçar.

Një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, u ka thënë gazetarëve se forcat ruse në Bjellorusi, “nuk janë as për stërvitje, as lëvizje normale. Është shfaqje e fuqisë, me qëllim të dhënies së një preteksti të rremë për krizë, teksa Rusia planifikon pushtim”.

Duke përshkruar takimin e planifikuar të Blinkenit me Lavrovin, ky zyrtar, i cili ka folur në kushte anonimiteti, ka thënë se takimi “sugjeron se diplomacia nuk ka vdekur ende”.

Në Berlin, Blinken do të takohet me Ministren e Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, si dhe do të zhvillojë bisedime me zyrtarë të Britanisë dhe Francës.

Takimet do të fokusohen “në përpjekjet e përbashkëta për të ndalur agresionin e mëtejmë rus ndaj Ukrainës”, duke përfshirë gatishmërinë e aleatëve për ta përballur Rusinë me pasoja të mëdha dhe kosto ekonomike”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre të Perëndimit, kanë paralajmëruar për pasoja të rënda për Moskën, nëse Rusia nis ofensivë të re në Ukrainë.

Pas takimit me Lavrovin në Moskë, më 18 janar, Baerbock ka thënë se Berlini është gati për të mbrojtur vlerat themelore në konfliktin e Rusisë në Ukrainë, edhe nëse kjo nënkupton “çmim të lartë ekonomik”.

Gjermania, e cila ka lidhje të thella ekonomike me Rusinë, është vënë nën presion nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatë tjerë të NATO-s, për të pasur qëndrim më të ashpër ndaj Moskës.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë më 18 janar se Berlini është gati për të diskutuar ndaljen e projektit të gazsjellësit Nord Stream 2, nëse Rusia sulmon Ukrainën.

Gazsjellësi nënujor, i cili është ndërtuar, mirëpo ende nuk ka miratim për të nisur punën, është krijuar për të dërguar në shumë gaz rus në Evropën Perëndimore.

Kundërshtarët e projektit, përfshirë Uashingtonin, kanë thënë se ky gazsjellës do ta bëjë Berlinin më të varur ndaj Moskës.

“Është e qartë se do të ketë çmim të lartë për t’u paguar dhe ajo gjë do të diskutohet nëse do të ketë intervenim ushtarak në Ukrainë”, ka thënë Scholz para gazetarëve.

Erdogan do të vizitojë Ukrainën brenda "disa javësh"

Ministri i Jashtëm rus, Dmytro Kuleba, ka folur përmes telefonit, më 19 janar, me shefin e BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, për të diskutuar “disa mënyra që komuniteti transatlantik të ndalë Rusinë nga agresioni i mëtejmë”.

“Mesazhi im për të gjitha vendet anëtare të BE-së është i qartë: Cilido që është çmimi i parandalimit sot, ai do të jetë gjithmonë më i vogël sesa ai i parandalimit të ndonjë lufte në të ardhmen”, ka thënë ai.

Në kohën e rritjes së tensioneve ndërkombëtare, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, do të vizitojë Ukrainën “brenda disa javësh”, është cituar të ketë thënë zëdhënësi i tij.

Duke folur para një paneli më 18 janar, zëdhënësi, Ibrahim Kalin, ka thënë se Erdogan ka ftuar Zelenskyin dhe Putinin dhe Turqi, pasi “është i gatshëm të marrë çfarëdo roli për ulje të tensioneve”, sipas agjencisë së lajmeve Anadolu.

Turqia, vend anëtar i NATO-s, ka lidhje të mira me Kievin dhe me Moskën, pavarësisht disa mospajtimeve në politika.

Ndonëse bashkëpunon me Rusinë në fushën e mbrojtjes dhe energjisë, Ankaraja kundërshton Moskën në aneksimin e Gadishullit të Krimesë dhe ka shitur dronë të sofistikuar në Ukrainë, gjë që ka zemëruar Kremlinin.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG