Ideja e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, që Grenlanda të vihet nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara, është kundërshtuar nga sekretari amerikan i Shtetit dhe nga liderë të tjerë në Evropë.
Trumpi e bëri të qartë përsëri këtë javë se dëshiron që territori gjysmautonom i Danimarkës të vihet nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara dhe tha se nuk e hedh poshtë as mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake për ta arritur këtë.
“Neve na nevojitet Grenlanda për qëllime të sigurisë kombëtare”, tha Trump.
Megjithatë, sekretari në shkuarje i Shtetit, Antony Blinken, tha se qëllimet e presidentit të ri amerikan me gjasë nuk janë asgjë më shumë se vetëm fjalë.
“Ideja e shprehur për Grenlandën nuk është e mirë, natyrisht”, tha Blinken gjatë një vizite në Paris.
“Mbase më e rëndësishme është, sigurisht, ideja se kjo nuk do të ndodhë. Prandaj, ne mbase nuk duhet të humbim shumë kohë duke folur për këtë”, tha ai.
Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot, gjithashtu hodhi poshtë mundësinë që forcat amerikane të vendosen kundër Danimarkës, e cila është aleate e SHBA-së në aleancën ushtarake të NATO-s.
Megjithatë, Barrot paralajmëroi se Evropa duhet të përgatitet për një periudhë turbulencash në të ardhmen.
“A mendon dikush se Shtetet e Bashkuara do ta pushtojnë Grenlandën? Përgjigja është ‘jo’”, tha ministri francez.
“Por, a mendojmë se po hyjmë në një periudhë ku ligji i më të fortit po kthehet? Përgjigja është ‘po’”, shtoi ai.
Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka thënë se nuk beson se Shtetet e Bashkuara do ta përdorin fuqinë ushtarake ose ekonomike për ta marrë kontrollin mbi Grenlandën dhe i ka bërë thirrje SHBA-së të ketë sjellje më “respektuese ndaj popullit të Grenlandës”.
Në Gjermani, kancelari Olaf Scholz theksoi të mërkurën se parimi i paprekshmërisë së kufijve vlen për çdo vend, pavarësisht sa i fuqishëm është ai, duke reaguar ndaj komenteve të Donald Trumpit, pa e përmendur presidentin e zgjedhur me emër.
“Kufijtë nuk duhet të ndryshohen me forcë”, tha Scholz.
Pse Trump dëshiron që Grenlanda të jetë nën kontrollin e SHBA-së?
Grenlanda, e cila është pjesë e NATO-s përmes anëtarësisë së Danimarkës, ka një rëndësi strategjike për ushtrinë amerikane dhe për sistemin e saj të paralajmërimit të hershëm për raketat balistike, pasi rruga më e shkurtër nga Evropa për në Amerikën e Veriut kalon përmes ishullit Arktik.
Ushtria amerikane ka një prani të përhershme në bazën ajrore, Pituffik, në veriperëndim të Grenlandës.
Shtetet e Bashkuara kanë shprehur interes për të zgjeruar praninë e tyre ushtarake, duke përfshirë vendosjen e radarëve atje për të monitoruar ujërat midis ishullit, Islandës dhe Britanisë, të cilat janë portë për anijet e marinës dhe nëndetëset bërthamore ruse.
Grenlanda, ishulli më i madh në botë, ka qenë pjesë e Danimarkës për 600 vjet, megjithëse 57.000 banorët e saj tani qeverisin me çështjet e tyre të brendshme.
Marrëdhëniet e Grenlandës me Danimarkën janë tensionuar kohët e fundit për shkak të akuzave për keqtrajtim të grenlandezëve gjatë periudhës koloniale.
Kryeministri i ishullit, Mute Egede ka deklaruar se ishulli nuk është në shitje dhe, në fjalimin e tij të Vitit të Ri, ka intensifikuar përpjekjet për pavarësi, raportoi agjencia e lajmeve Reuters.
Danimarka, nga ana e saj, ka thënë se fati i territorit mund të vendoset vetëm nga vetë qytetarët e Grenlandës.
"Ne e pranojmë plotësisht që Grenlanda ka ambiciet e veta. Nëse ato realizohen, Grenlanda do të bëhet e pavarur, por jo me ambicie për t'u bërë shtet federal në Shtetet e Bashkuara", tha ministri i jashtëm danez Lars Lokke Rasmussen.
Ai u tha gazetarëve se shqetësimet e shtuara të Shteteve të Bashkuara rreth sigurisë në Arktik janë legjitime, për shkak të rritjes së aktivitetit rus dhe kinez në rajon.
"Unë nuk mendoj se jemi në një krizë të politikës së jashtme", tha Rasmussen. "Jemi të hapur për një dialog me amerikanët mbi mënyrën se si mund të bashkëpunojmë edhe më ngushtë sesa tani, për të siguruar që ambiciet amerikane të përmbushen".