Ndërlidhjet

Blinken uron 17 Shkurtin, përsërit mbështetjen për dialog


Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës në 14-vjetorin e shtetësisë.

Në deklaratën e publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit, ai ka thënë se pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës janë të pakthyeshme, dhe se duhet të ketë këmbëngulje për të ndërtuar institucione demokratike dhe gjithëpërfshirëse.

Ai ka shprehur mbështetjen amerikane për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke e konsideruar këtë proces si rrugë për të arritur marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, e cila duhet të ketë në qendër njohjen reciproke.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011.

Blinken ka thënë se po ashtu shpreson që Kosova të zë vendin e saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike.

“Si një prej demokracive më të reja në botë, Kosova dhe qytetarët e saj me të drejtë janë krenarë për përparimin e bërë në këta 14 vjet. Nga ana jonë, ne jemi krenarë për mbështetjen e dhënë në këto përpjekje”.

Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008. Sipas listës së publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashme dhe Diasporës, 117 vende të botës e kanë njohur atë.

Për 14 vjet shtetësi, Kosova është anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare, përfshirë financiare dhe sportive.

Në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.

Kosova nuk është ende anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë e të tjera.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG