Ndërlidhjet

Mbërritja e bizneseve të reja në veri: Provokim, progres, mundësi punësimi...? 


Dyqani me pronar shqiptar i hapur së fundi në veri.
Dyqani me pronar shqiptar i hapur së fundi në veri.

Aroma e burgerëve të një restoranti me pronar shqiptar nuk i josh shumë qytetarë të Mitrovicës së Veriut. Ngjashëm as shumëllojshmëria e produkteve në një prej dyqaneve po ashtu me pronar shqiptar.

Hapjen e tyre rishtas në këtë komunë në veri të Kosovës, Vesna e sheh si “provokim”.

“E kanë tepruar me ardhjen e tyre këtu. Ky është edhe një gisht i drejtuar në sytë tanë”, thotë ajo.

Mitrovica e Veriut bashkë me Zveçanin, Zubin Potokun dhe Leposaviqin përbëjnë atë që njihet si zonë e banuar me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Popullata atje, nën ndikimin e Serbisë dhe të strukturave të saj paralele në Kosovë, vështirë u bindet vendimeve të institucioneve në Prishtinë.

Këto të fundit, në anën tjetër, kanë marrë së voni disa hapa, në përpjekje për ta shtrirë sa më shumë autoritetin atje.

Në fund të gushtit, ato kanë mbyllur pesë institucione paralele serbe në veri, me arsyetimin se kanë funksionuar jashtë ligjeve të Kosovës.

Paraprakisht kanë kërkuar konvertimin e lejeve të shoferëve, të lëshuara nga Serbia, në ato të Kosovës, kanë ndaluar përdorimin e dinarit serb e të tjera.

“Autoritetet e Kosovës nuk po na trajtojnë si qytetarë të klasës së dytë, por të klasës së dhjetë”, thotë Milloshi.

“Nuk shoh arsye përse duhet blerë në dyqanet e tyre [të shqiptarëve]”, thotë ky banor i Mitrovicës së Veriut për Radion Evropa e Lirë.

Elvira, në anën tjetër, thotë se “nuk i pengon të blejë kudo”. “Me paratë e mia blej ku dua unë”, thotë ajo.

Restoranti me pronar shqiptar i hapur së fundi në veri.
Restoranti me pronar shqiptar i hapur së fundi në veri.

“Në shërbim të çdo qytetari”

Gjatë këtij viti, për herë të parë që nga paslufta më 1999, në shëtitoren kryesore të Mitrovicës së Veriut janë hapur disa biznese me pronarë shqiptarë.

Deri më tash, të tillat kanë mundur të vërehen vetëm në Lagjen e Boshnjakëve të këtij qyteti, që është multietnike.

I fundit, më 3 shtator, është hapur një restorant i ushqimeve të shpejta.

“Ne jemi në shërbim të çdo qytetari dhe nuk na intereson përkatësia etnike”, thotë për Radion Evropa e Lirë, menaxherja e restorantit Heb's, Miradije Gashi.

Miradije Gashi, menaxhere në restorantin në Mitrovicë e Veriut.
Miradije Gashi, menaxhere në restorantin në Mitrovicë e Veriut.

Pasditen e 6 shtatorit, kur ekipi i REL-it ishte në ambientet e tij, nuk kishte shumë klientë dhe ata që mund të dëgjoheshin, flisnin shqip.

Gashi shpreh bindjen se, me kalimin e kohës, “aktiviteti i shitjes do të rritet”.

Ajo tregon se kjo pikë nga rrjeti i restoranteve, ka të punësuar gjashtë punonjës shqiptarë dhe dy serbë.

Punonjësja serbe, e pranishme atë ditë, nuk pranoi të fliste për REL-in, por Gashi thotë se është e kënaqur me punën e saj.

“Kalojmë shumë mirë... Edhe kur flasim mes vete, flasim serbisht apo anglisht, që ajo të mos ndihet keq, sepse nuk e kupton gjuhën shqipe”, thotë menaxherja e restorantit.

Më pak se 400 metra larg tij gjendet dyqani Meridian Express, po ashtu me pronar shqiptar. Me dhjetëra pika të shitjes anekënd Kosovës, të fundit e ka hapur në Mitrovicë të Veriut më 26 gusht.

Një punëtor në dyqanin me pronar shqiptar i hapur së fundi në veri të Mitrovicës.
Një punëtor në dyqanin me pronar shqiptar i hapur së fundi në veri të Mitrovicës.

Aktualisht, dyqani punëson katër veta nga komuniteti shqiptar dhe dy nga ai boshnjak.

Në një deklaratë me shkrim dhënë Radios Evropa e Lirë, menaxhmenti i tij thotë se “është në proces të zgjedhjes edhe të punëtorëve nga nacionaliteti serb”, por nuk tregon se sa është numri i të interesuarve.

Jeton Hyseni, menaxher i dyqanit në Mitrovicë të Veriut.
Jeton Hyseni, menaxher i dyqanit në Mitrovicë të Veriut.

Pavarësisht përpjekjeve të REL-it, askush prej klientëve të pranishëm në dyqan pasditen e 6 shtatorit nuk dëshiroi të fliste.

E, mundësi të reja punësimi dhe argëtimi për qytetarët e zonës pritet të ofrojë edhe një biznes tjetër shqiptar, nisur nga ky muaj.

Zinxhiri i pastiçerive “Missini” është duke rinovuar një objekt pranë urës kryesore të Ibrit, që ndan Mitrovicën në jugun e banuar me shqiptarë dhe veriun e banuar me serbë.

Pronari Astrit Misini thotë se do të punësojë deri në 15 punëtorë.

“Do të hapim konkurs dhe do të shohim nëse dëshirojnë të aplikojnë edhe qytetarët serbë. Ne jemi të interesuar që t’i punësojmë dhe të bashkëpunojmë me ta”, thotë Misini për Radion Evropa e Lirë.

Përgatitja e lokalit ku do të hapet pastiçeria me pronar shqiptar, Mitrovicë e Veriut.
Përgatitja e lokalit ku do të hapet pastiçeria me pronar shqiptar, Mitrovicë e Veriut.

Por, këtë disponim nuk e ka edhe Aleksandra - banore në Mitrovicë të Veriut.

“Unë nuk blej [në dyqane të shqiptarëve], e as që hyj brenda. Nuk mendoj se e kanë vendin këtu. Unë blej në dyqanet e njerëzve tanë”, thotë ajo.

Regjistrimi i bizneseve dhe subvencionimi i pagave

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, është zotuar se do t’i mbështesë të gjitha bizneset e reja dhe ato ekzistuese në katër komunat me shumicë serbe në veri - Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Në muajin shkurt, ajo u ka bërë ftesë të gjithë punëdhënësve dhe punëkërkuesve që të regjistrohen në Zyrat e Punësimit në komunat e tyre, për të aplikuar për masën e punësimit “Qeveria për familjet”.

Kjo masë ofron mundësinë e subvencionimit të 70 për qind të pagës bazë, me një maksimum prej 350 eurosh, për një periudhë prej gjashtë muajsh.

Në Mitrovicë të Veriut, sipas të dhënave që ofroi Agjencia e Punësimit e Kosovës për REL-in, janë miratuar deri më tash 100 kërkesa për subvencionim - 93 prej të cilave nga komuniteti serb.

Nga menaxhmenti i dyqanit të sapohapur thonë se kanë aplikuar tashmë në Zyrën e Punësimit në këtë komunë, kurse ata të restorantit dhe pastiçerisë thonë se do ta bëjnë një gjë të tillë.

Më 9 shtator, kryeministri Kurti ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se Qeveria e tij ka mbështetur punësimin e qindra personave në veri, prej se është lansuar masën “Qeveria për familjet”.

“Shtatë muaj nga fillimi i skemës, deri më 30 gusht, në katër komunat në veri kemi ndërmjetësuar dhe mbështetur punësimin e 263 personave, ndërkaq të deklaruara janë edhe 428 vende të lira të punës”, ka shkruar Kurti.

Por, për të fituar të drejtën e subvencionimit, bizneset, paraprakisht, duhet të regjistrohen ose të jenë të regjistruara në institucionet e Kosovës.

Nga fillimi i këtij viti, Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve e Kosovës (ARBK), e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka hapur zyrat e saj në komunat në veri.

Të dhënat që siguroi REL-i prej saj, tregojnë se në nëntë muajt e parë të këtij viti janë regjistruar qindra biznese të reja, ndonëse një numër më i vogël me pronarë shqiptarë.

Të martën, Kurti bashkë me disa zyrtarë të kabinetit të tij u panë në restorantin e sapohapur me pronar shqiptar në Mitrovicë të Veriut.

Duke folur për gazetarët në shëtitoren e këtij qyteti, ai tha se “gjithçka që bën Qeveria e tij, nuk është kundër askujt”.

Kontribuoi: Maja Fiqoviq

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG