Ndërlidhjet

Monedha e (pa)rrezikshme virtuale qarkullon në Kosovë


Monedha virtuale, Bitcoin
Monedha virtuale, Bitcoin

Edhe në Kosovë ka filluar të përdoret monedha virtuale. Dhe ndonëse për të siguria nuk garantohet nga asnjë institucion, është instaluar edhe një aparat për blerjen e saj.

Monedha virtuale, e quajtur ndryshe "Bitcoin", ekziston vetëm në rrjetet informatike, por me anë të së cilës mund të kryhen transaksione, sikurse me paranë e vërtetë.

Monedhat virtuale, paraqiten në shumë forma, në fillim si monedha brenda lokaleve të lojërave kompjuterike online, media sociale, dhe më vonë janë zhvilluar si mjete pagese që pranohen në jetën reale.

Disa qytetarë që kanë investuar në monedhat virtuale thonë se instalimi i këtyre aparateve është i nevojshëm.

Florent Ibrahimi, është student i nivelit master në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, i cili tashmë ka investuar në monedhat elektronike, pasi shpreson se do të fitojë .

Florenti pretendon se në të ardhmen, paraja letër nuk do të ekzistojë, por vetëm monedha virtuale.

Arsyeja pse kam investuar është shpresa për fitim. Pretendohet që në të ardhmen të ketë rritje ekstreme dhe përdorimi i valutave elektronike është i garantuar në të ardhmen”.

Unë nga ky investim, besoj që kam fituar, nga prodhimet që kam bërë dhe nga makinat që i posedoj. Unë kam arritur t’i shndërroj në valutën euro dhe ky është një fitim”, thotë Ibrahimi për Radion Evropa e Lirë .

Në anën tjetër kompania “Albvision” ka instaluar një aparat për blerje të monedhës virtuale në kryeqytet, kurse shumë shpejtë pritet të instalohen edhe gjashtë të tjera, në qytetet tjera të Kosovës.​

Aparati i Bitcoin në Kosovë
Aparati i Bitcoin në Kosovë

​Ardian Alaj, nga kjo kompani thotë për Radion Evropa e Lirë, se interesimi i qytetarëve për këtë shërbim është rritur.

Interesimi që nga fillimi ka qenë shumë i madh dhe çdo ditë ka qytetarë që i afrohen ATM ‘Bitcoin’ për shfrytëzim”, thotë Alaj.

Edhe ekspertë për çështje financiare, thonë se në Kosovë është rritur përdorimi i kësaj monedhe, por që rreziku i humbjes së mjeteve financiareështë evidente.

Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se qytetarët e Kosovës nuk kanë shumë informacione për rrezikun nga përdorimi i monedhave virtuale.

Momentalisht Bitcoin ka kaluar pragun psikologjik, 3000 dollarë për një Bitcoin, por në të ardhmen për shkak të qarkullimit të ofertës dhe kërkesës për këtë monedhë virtuale, vlera e saj mund të ulet dhe qytetarët mund të pësojnë dëme të caktuara, për të cilat shteti nuk garanton mbulimin e tyre”, thotë Bektashi.

Banka Qendrore e Kosovës, i ka paralajmëruar qytetarët lidhur me rrezikun e mundshëm që mund të rezultojë në humbje financiare nga përdorimi i këtij aparati.

Zyrtarë të Bankës Qendrore, patën thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se në Kosovë nuk ka instrument ligjor që rregullon përdorimin e parave virtuale.

Edhe kompania “Albvision”, thotë Alaj, bënë thirrje te qytetarët që të kenë kujdes, pasi siç thotë ai, kjo nuk është industri e parajsës -- përveç përparësive, ka edhe rreziqet e veta.

Për këtë thotë ai, kompania është duke lobuar tek autoritetet kompetente që kjo çështje të rregullohet në bazë ligjore.

"Jemi duke lobuar tek institucionet kompetente, siç është Banka Qendrore, Administrata Tatimore dhe ministritë e caktuara, që kjo çështje të rregullohet sa më parë me ligj, sepse jemi të bindur se është më mirë të jetë e rregulluar dhe kontrolluar [me ligj], se sa të funksionojë e parregulluar, apo pa ndonjë ligj apo rregullore të caktuar”, thotë Alaj.

Ndryshe, Banka Qendrore e Republikës se Kosovës ka njoftuar të gjithë përdoruesit e mundshëm të parasë virtuale, se nuk ka asnjë institucion që garanton rimbursimin e parave të humbura.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG