Ndërlidhjet

Bie ndjeshëm vdekshmëria e foshnjave


Klinika e Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (Foto nga arkivi)
Klinika e Neonatologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (Foto nga arkivi)

Vdekshmëria e foshnjave në Kosovë ndër vite ka shënuar rënie. Kështu thonë profesionistë shëndetësorë, sipas të cilëve në vitet 1999 vdekshmëria e foshnjave ka qenë 31 promil, pra në 1 mijë foshnje të lindura, 31 kanë vdekur. Xhevdet Gojnovci, drejtor i Klinikës së Neonatologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se aktualisht vdekshmëria e foshnjave ka rënë në 8 promil, pra në 1 mijë foshnje të lindura, tetë prej tyre vdesin.

“Në Kosovë vdekshmëria e foshnjave është vazhdimisht në rënie, pavarëisisht kushteve, në të cilat punojmë. Duke marrë parasysh që pas luftës ka qenë vdekshmëria shumë e lartë, tash vdekshmëria ka rënë dukshëm dhe është rreth 8 promil”, thotë Gojnovci.

Ndryshe, në vitin 2017, në Klinikën e Neonatologjisë, të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, janë trajtuar mbi 1 mijë e 500 foshnje të lindura, prej tyre 199 foshnje kanë vdekur në këtë klinikë.

Gojnovci shton se shkaktar kryesor i vdekjeve të foshnjave, ka qenë kryesisht pesha e ulët e tyre nën 1 mijë e 500 gramë.

Por, Gojnovci tutje shton se pavarësisht faktit që vdekshmëria e foshnjave ka shënuar rënie ndër vite, ai përmend një problem, që, sipas tij, është mjaft shqetësues.

“Specializimi i neonatologjisë është ndërprerë. Kjo mendoj se krijon mjaft vështirësi për të ardhmen. Megjithatë po mendoj se kjo çështje duhet të diskutohet dhe të dihet arsyeja pse ka ardhur deri te kjo”, shprehet Gojnovci.

Ndërkaq, në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se specializimet për neonatologji do të jenë prioritet varësisht nga nevojat që ka kjo fushë. Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në këtë ministri, thotë se gjithmonë shëndeti i nënës dhe fëmijës ka qenë dhe është, siç thotë ai, prioritet, derisa shpjegon për specializimet në këtë fushë.

“Shëndeti i nënës dhe fëmijës është prioritet yni dhe para së gjithash ulja e vdekshmërisë së foshnjave dhe në këtë aspekt ka punësuar specialistë në lëmin e neonatologjisë, derisa në proces të vijimit është një kandidat”.

“Gjithashtu, dy specialistë të neonatologjisë e kanë përfunduar në qershor të vitit të kaluar. Sa i përket të ardhmes, sigurisht që Ministria e Shëndetësisë në pajtueshmëri me nevojat që ka kjo fushë, do t’i ketë parasysh kërkesat dhe në ndarjen e specializimeve të tjera, do t’i shqyrtojë mundësitë që këtij lëmi t’i japë kujdesin e merituar”, thekson Hoti.

Klinika e Neonatologjisë në QKUK
Klinika e Neonatologjisë në QKUK

Edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Besa Baftiu, njëherësh anëtare e Komisionit për shëndetësi nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje thotë se faktorët që kanë ndikuar në rënien e vdekshmërisë së foshnjave janë të shumtë, duke përmendur ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, si dhe avancimin e profesionistëve shëndetësorë të kësaj fushe.

“Ajo çka është e vërtetë, është se ka ulje të vdekshmërisë gjatë viteve të pasluftës, ku vdekshmëria e foshnjave ka qenë 31 promil apo në 1 mijë foshnje të lindura 31 foshnje kanë vdekur. Por, nga tash informatat që i kam, rënia e vdekshmërisë është 8 promil. Faktorët që kanë ndikuar janë profesionistët shëndetësorë, ngritja e tyre, por ka edhe faktorë të tjerë si kuadri i mesëm e që është më i edukuar”, thotë Baftiu.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, konsiderohet se 32 për qind e foshnjave që lindin para kohe, vdesin nga faktorë të ndryshëm, derisa 54 për qind e foshnjave që vdesin pas lindjes, janë si pasojë e lindjes së parakohshme.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG