Ndërlidhjet

Biden shpreson që lideri i Kinës do të marrë pjesë në samitin e G20-ës


Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, dhe presidenti kinez, Xi Jinping, duke shtrënguar duart para takimit të tyre në margjinat e takimit të samitit të G20-ës, të hënën, më 14 nëntor 2022, në Indonezi.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, dhe presidenti kinez, Xi Jinping, duke shtrënguar duart para takimit të tyre në margjinat e takimit të samitit të G20-ës, të hënën, më 14 nëntor 2022, në Indonezi.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, tha më 31 gusht se ai shpreson që presidenti kinez, Xi Jinping, do të marrë pjesë në samitin e në takimin e liderëve të grupit të 20 shteteve më të industrializuara (G20).

Agjencia e lajmeve Reuters raportoi se Xi nuk pritet të marrë pjesë në këtë samit, duke e eliminuar kështu mundësinë që udhëheqësit e SHBA-së dhe Kinës të takoheshin këtë vit.

Samiti në Indi ishte parë si një vend për një takim të mundshëm midis tyre pasi që Biden e ka konfirmuar pjesëmarrjen, në një kohë kur dy superfuqitë po tentojnë t’i stabilizojnë marrëdhëniet e acaruara nga tensionet tregtare dhe gjeopolitike.

Xi u takua për herë të fundit me Bidenin në margjinat e samitit të G20-ës në Bali, Indonezi nëntorin e kaluar.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë tashmë se nuk do të udhëtojë në Nju Delhi dhe në vend të tij do ta dërgojë ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

As presidenti i Kinës nuk pritet të marrë pjesë në samitin e javës së ardhshme dhe në vend të tij ai do ta dërgojë kryeministrin Li Qiang, sipas një deklarate të një zyrtari të BE-së të transmetuar nga agjencia e lajmeve AFP.

“Informacioni im i fundit... ishte se Xi nuk kishte ndërmend të udhëtonte, do të vinte kryeministri”, raportohet t’u ketë thënë zyrtari evropian gazetarëve në Bruksel përpara samitit të 9 dhe 10 shtatorit në Nju Delhi.

Xi dhe kryeministri i Indisë, Narendra Modi, zhvilluan bisedime të pazakonte me njëri-tjetrin në samitin e grupit BRICS në Afrikën e Jugut javën e kaluar, por tensionet mbeten të larta midis gjigantëve aziatikë.

Më 29 gusht, India i lëshoi Kinës një reagim të ashpër pasi një hartë zyrtare e publikuar nga Pekini dukej se pretendonte një pjesë të madhe toke në Himalajet, ku Delhi pretendon sovranitetin.

Zyrtarët evropianë shpresojnë se samiti i G20 në Nju Delhi do të shërbejë si mundësi për të lobuar te fuqitë e BRICS-it, si India dhe Kina, për të rënë dakord për kritika më të forta ndaj Rusisë anëtare, pas pushtimit të Ukrainës nga Moska.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG