Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden dhe gjashtëmbëdhjetë liderë të tjerë botërorë kërkuan të enjten nga Hamasi - grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – që të pranojë një marrëveshje armëpushimi dhe nga Izraeli që të pranojë kompromise.
"Nuk ka kohë për të humbur. Ne i bëjmë thirrje Hamasit të mbyllë këtë marrëveshje", thuhet në deklaratën e lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.
Deklarata u nënshkrua nga krerët e fuqive kryesore evropiane, Britanisë, Francës dhe Gjermanisë, si dhe nga Spanja, e cila së fundmi e ka njohur shtetin palestinez.
Kjo deklaratë mblodhi edhe liderë të Brazilit dhe Kolumbisë.
Deklarata e së enjtes u nënshkrua gjithashtu nga Tajlanda, e cila ka një fuqi të madhe punëtorësh në Izrael.
Vende të tjera që nënshkruan deklaratën ishin Austria, Bullgaria, Kanadaja, Danimarka, Polonia, Portugalia, Rumania dhe Serbia.
Shtetet e Bashkuara kanë thënë vazhdimisht se i takon Hamasit të pranojë marrëveshjen, por deklarata gjithashtu bëri thirrje për fleksibilitet nga Izraeli.
“Në këtë moment vendimtar, ne u bëjmë thirrje udhëheqësve të Izraelit si dhe Hamasit që të bëjnë çfarëdo kompromisi përfundimtar të nevojshëm për të mbyllur këtë marrëveshje dhe për të sjellë lehtësim për familjet e pengjeve, për ata në të dyja anët e këtij konflikti të tmerrshëm, përfshirë civilët”, thuhet në deklaratë.
"Është koha që lufta të përfundojë dhe kjo marrëveshje është pika e nevojshme fillestare”.
Ditë më parë, Biden e shpalosi një propozim trefazësh të Izraelit për përfundimin e konfliktit në Rripin e Gazës, duke thënë se “ka ardhur koha që kjo luftë të marrë fund”.
Faza e parë përfshin një armëpushim gjashtë-javor, gjatë të cilit forcat izraelite do të tërhiqeshin nga “të gjitha zonat e banuara “ të Gazës, disa pengje – të moshuar dhe gra – do të liroheshin në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë; civilët palestinezë do të ktheheshin në shtëpitë e tyre në Gazë; dhe 600 kamionë në ditë do të dërgonin ndihmë humanitare në enklavën e rrënuar.
Në fazën e dytë, Biden tha se do të shkëmbeheshin të gjitha pengjet e gjalla, përfshirë ushtarë; forcat izraelite do të tërhiqeshin nga Gaza dhe armëpushimi i përhershëm do të niste.
Faza e tretë parasheh një plan të madh rindërtimi për Gazën, si dhe rikthimin e “mbetjeve të fundit” të pengjeve te familjet e tyre.
Hamasi e sulmoi Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng rreth 250 të tjerë.
Pas këtij sulmi, nisi lufta në Rripin e Gazës - të kontrolluar nga Hamasi.
Dhjetëra pengje të marra prej këtij grupi, u liruan gjatë një armëpushimi në nëntor, ndërsa disa të tjera u gjetën - të vdekura ose të gjalla - nga trupat izraelite.