Ndërlidhjet

Biden jep shpresa për kthimin e gazetarit amerikan nga Rusia


Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka thënë më 13 korrik se ai po e merr seriozisht mundësinë e një shkëmbimi të të burgosurve për një gazetar të Wall Street Journal, i cili është arrestuar në Rusi që më shumë se 100 ditë.

Kremlini në fillim të këtij muaji sugjeroi se është i hapur për një shkëmbim të mundshëm të të burgosurve që mund të përfshinte Evan Gershkovichin, por theksoi se bisedime të tilla duhet të zhvillohen jashtë syve të publikut.

Duke folur në një konferencë shtypi në Helsinki të Finlandës, Biden e bëri të qartë se SHBA-ja është e interesuar.

“Unë po e marr seriozisht një shkëmbim të burgosurish”, tha Biden, i cili po përfundonte një vizitë pesë-ditore nëpër Evropë: në Mbretëri të Bashkuar, Lituani dhe Finlandë.

“Dhe unë e kam me seriozitet se do të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i liruar amerikanët që mbahen ilegalisht në Rusi ose kudo tjetër, dhe ky proces është duke u zhvilluar”, shtoi ai.

Gershkovich u arrestua nën akuzat për spiunazh në qytetin rus, Yekaterinburg. Ai po mbahet në burgun Lefortovo të Moskës, i njohur për kushtet të këqija. Së fundi, një gjykatë në Moskë la në fuqi një vendim për ta mbajtur atë në paraburgim deri më 30 gusht.

Gershkovich dhe punëdhënësit e tij mohojnë akuzat dhe qeveria amerikane e ka deklaruar atë si “të ndaluar gabimisht”. Arrestimi i tij tronditi gazetarët në Rusi. Autoritetet ruse nuk kanë ofruar asnjë provë për t’i mbështetur akuzat për spiunazh.

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, konfirmoi javën e kaluar se ka pasur “diskutime” midis dy palëve, por paralajmëroi se nuk ka ende “një rrugë të qartë” për lirimin e Gershkovichit.

Gershkovich është gazetari i parë amerikan që përballet me akuza për spiunazh në Rusi që nga shtatori i vitit 1986, kur Nicholas Daniloff, një korrespondent i Moskës për US News dhe World Report, u arrestua nga shërbimi rus i sigurisë. Daniloff u lirua 20 ditë më vonë në një shkëmbim për një punonjës të misionit të OKB-së të Bashkimit Sovjetik, i cili ishte arrestuar nga FBI-ja, gjithashtu nën akuza për spiunazh.

Biden: Putin e ka humbur luftën në Ukrainë

Biden tha gjithashtu se presidenti i Rusisë Vladimir Putin tashmë e ka humbur luftën në Ukrainë dhe shprehu shpresën se kundërofensiva e Kievit do ta detyrojë Moskën të ulet në tryezën e bisedimeve.

Biden tha se nuk ka asnjë perspektivë reale që Putini të përdorë armë bërthamore dhe këmbënguli se lufta nuk do të zvarritet me vite.

Biden shfrytëzoi gjithashtu vizitën në Finlandë, anëtaren më të re të NATO-s, për t'u zotuar se Ukraina një ditë do t'i bashkohet aleancës, pavarësisht se liderët e NATO-s nuk i dhanë një afat kohor Kievit në samitin e kësaj jave në Vilnius.

“Putini tashmë e ka humbur luftën. Putini e ka një problem të vërtetë”", tha Biden në një konferencë shtypi me presidentin finlandez, Sauli Niinisto. “Nuk ka asnjë mundësi që ai të fitojë luftën në Ukrainë”.

Udhëheqësit e NATO-s shkatërruan shpresat e liderit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për një afat kohor të qartë për anëtarësim në aleancën ushtarake, duke thënë në samitin e kësaj jave në Vilnius.

Aleatët e NATO-s s’i ofrojnë Ukrainës afat kohor për anëtarësimin
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:48 0:00

Por, edhe pse Biden tha se asnjë vend nuk mund të bëhet anëtar i NATO-s përderisa është në luftë, ai u zotua se Kievi një ditë do t'i bashkohet aleancës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG