Ndërlidhjet

Rusia ashpërson betejën për qytetin ukrainas të Bahmutit


Një ndërtesë të dëmtuar nga sulmet ushtarake ruse në Bahmut.
Një ndërtesë të dëmtuar nga sulmet ushtarake ruse në Bahmut.

Luftime të ashpra u zhvilluan në qytetin e Bahmutit, tha ushtria ukrainase më 3 mars, teksa forcat e Ukrainës zmbrapsën valët e shumta të sulmeve ruse në rajonin lindor të Donjeckut.

Përveç Bahmutit, i cili ka qenë epiqendra e luftimeve në lindje të vendit për muaj të tërë, ushtria ukrainase luftoi të paktën 85 sulme nga forcat ruse në drejtim të qyteteve Liman, Avdijivka dhe Shakhtarsk në këtë rajon, si dhe në rajonin verilindor të Harkivit, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase në raportin e tij të përditshëm.

Pas humbjes së një pjese të territorit në pjesën e dytë të vitit të kaluar, Moska ka nisur një ofensivë të re në rajonin e Donbasit të Ukrainës, duke kërkuar të shtyjë forcat ukrainase në disa lokacione.

Në Bahmut, Rusia vazhdon përpjekjen e saj për ta rrethuar qytetin dhe për t’i ndërprerë linjat e furnizimit të Ukrainës.

Zyrtarët ukrainas sinjalizuan se trupat e tyre mund të tërhiqen tërësisht nga ky qytet dhe të fokusohen në pozicione të reja në perëndim dhe veriperëndim, prej ku raportohet se Ukraina ka pozicione shumë më të forta mbrojtëse.

Volodymyr Nazarenko, një komandant i Gardës Kombëtare të Ukrainës, i tha radios ukrainase se situata në Bahmut ishte "kritike".

"Çdo metër tokë ukrainase po i kushton armikut qindra jetë njerëzish", tha Nazarenko.

Ekspertët perëndimorë kanë vënë në pikëpyetje ofensivën ruse për qytetin e Bahmutit, duke thënë se vlera për të është më tepër simbolike për Rusinë, sesa strategjike.

Forcat ruse vazhduan të bombardojnë infrastrukturën civile gjatë natës, tha ushtria ukrainase, duke plagosur civilë dhe duke shkaktuar dëme.

"Armiku vazhdon të shkelë normat e së drejtës ndërkombëtare humanitare. Pushtuesit kryen 31 sulme ajrore dhe tri sulme me raketa, veçanërisht në infrastrukturën civile në rajonet e Donjeckut, Zaporizhjas dhe Hersonit. Ka civilë të plagosur, ndërtesat shumëkatëshe të banimit dhe shtëpitë private janë dëmtuar”, tha ushtria ukrainase.

Në qytetin jugor të Zaporizhjas, një raketë ruse vrau pesë civilë kur goditi një bllok apartamentesh, thanë zyrtarët rajonalë më 2 mars.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara po përgatiten të shpallin një paketë të re ndihme ushtarake prej 400 milionë dollarësh për Ukrainën. Ndihma e re e SHBA-së pritet të shpallet gjatë vizitës së kancelarit gjerman, Olaf Scholz, në Uashington të premten e 3 marsit.

Uashingtoni ka dhënë deri më tani rreth 32 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën që nga fillimi i pushtimit të paprovokuar të Rusisë në shkurt të vitit 2022.

Më 2 mars, Moska pretendoi se një grup ushtarësh ukrainas kaluan në Rusinë perëndimore dhe sulmuan civilët në fshatra, një pretendim që Kievi e mohoi.
Detajet rreth incidentit të 2 marsit, pranë qytetit rus Bryansk, nuk ishin plotësisht të qarta.

Në Kiev, Mykhaylo Podolyak, një këshilltar i lartë i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i quajti deklaratat ruse një "provokim i qëllimshëm".

Përgatiti: Gresa Kraja

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG