Raporti i Progresit i Komisionit Evropian ka konstatuar se “Qeveria [e Kosovës] ka vazhduar me agjendën e saj ambicioze drejt Bashkimit Evropian”, tha zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi.
Pasi pranoi Raportin e Progresit nga ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, Bislimi në një konferencë të përbashkët për media me zyrtarin evropian, tha se një shtytje të madhe në përmbushjen e reformave që kërkohen për t’u anëtarësuar në BE do të ishte largimi i masave ndëshkuese të vendosura nga blloku evropian ndaj Kosovës.
“Reformat e brendshme në sundimin e ligjit, në qeverisjen e mirë, progresi i mirë ekonomik dhe social, liberalizimi i vizave dhe përkushtimi në Bashkimin Evropian konfirmojnë se jemi duke bërë hapat e duhur në rrugën drejt të ardhmes evropiane. Largimi i masave ndëshkuese nga BE-ja do ta kthente motivimin dhe do të përshpejtonte edhe më shumë reformat”, tha Bislimi.
Më herët gjatë vitit, BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, ku banorët lokalë kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të komunave.
Sipas Bislimit, Kosova ka dëshmuar se është aleate e BE-së, duke përafruar politikën e saj të jashtme, veçmas për sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, por sipas tj edhe BE-ja duhet të dëshmojë se e do dhe e sheh Kosovën brenda bllokut.
“Mosnjohja e plotë nga 27 shtetet anëtare të BE-së vazhdon ta dobësojë pozicionin e BE-së jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Vazhdimi i procesit të anëtarësimit varet nga vullneti politik dhe marrja e statusit të vendit kandidat nuk nënkupton njohje nga shtetet anëtare”, tha ai.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE fundin e vitit të kaluar. Nga vendet e rajonit, Kosova është e fundit sa i përket rrugës së saj drejt anëtarësimit në BE, pasi është e vetmja që nuk ka status të vendit kandidat.
Bislimi tha se në raportin e sivjetmë nuk janë theksuar disa nga përparimet që i ka bërë Kosova.
“Sipas analizës sonë, janë disa arritje në segmentin e kritereve politike, më përkatësisht në fushën e funksionimit të demokracisë, drejtësisë dhe sundimit të ligjit, luftimit të korrupsionit dhe administratës publike, të cilat është dashur të theksohen dhe vlerësohen më shumë në këtë raport, meqë janë të arritura me shumë rëndësi për një shoqëri demokratike dhe për më tepër janë rekomanduar në raportin e vitit të kaluar”, tha Bislimi.
Ndërkaq, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, në pyetjen nëse largimi i masave do të kushtëzohet me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, tha se blloku pret që të përmbushen tre kushtet e paraqitura në deklaratën e shteteve të BE-së më 3 qershor.
Në atë deklaratë janë paraparë tri kushte: shtensionimi i situatës në veri, mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme në këtë pjesë të Kosovës të banuar me shumicë serbe dhe angazhimi në dialog. Kushti i fundit, sipas Szunyog përfshin edhe themelimin e Asociacionit.
“Raporti e njeh se ka një progres të caktuar duke përfshirë themelimin e kornizës ligjore për zgjedhjet e parakohshme dhe disa çështje që lidhen me shtensionimin në objektet komunale. Por, raporti thekson se duhet të shohim hapa të tjerë. Shpresojmë që hapat të merren sa më shpejt dhe masat të hiqen sa më shpejt që Kosova të gëzojë potencialin, jo vetëm nga mekanizmat ekzistues, por edhe nga plani i rritjes”, tha ai, duke iu referuar planit për rritje ekonomike të shteteve të Ballkanit Perëndimor, të miratuar më 8 nëntor. Ky plan është në vlerë prej 6 miliardë eurosh.
Szunyog përsëriti qëndrimin e BE-së se e ardhmja e Kosovës është në bllokun evropian, duke theksuar se këto nuk janë deklarata boshe.
Duke folur për dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë, Bislimi tha se ky proces tani është në fazën e zbatimit të marrëveshjeve të arritura. Ai konfirmoi se të enjten do të zhvillohet rundi i ri i dialogut në nivel të kryenegociatorëve.
“Nuk ka më kompromise në negocim. Kompromiset kanë përfunduar dhe jemi në fazën e zbatimit ku Kosova insiston që marrëveshjet të zbatohen në plotëni dhe pa parakushte dhe pa vonesa dhe për t’u siguruar që marrëveshjet na çojnë drejt normalizimit e jo drejt përshkallëzimit të konfliktit”, tha Bislimi.
“Në raport, në faqet që merren me pjesët e dialogut është hera e parë që me saktësi të plotë raporti tregon të gjitha moszbatimet e marrëveshjeve të kaluara. Do të shihni që ajo që ne kemi thënë në vazhdimësi që lista e shkeljeve dhe moszbatimit është shumëfish më e madhe se nga Kosova”, shtoi ai.
Ndërkaq, ambasadori Tomas Szunyog, tha se për bllokun evropian, si ndërmjetës i dialogut, e rëndësishme është që Kosova dhe Serbia të nisin zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit.
“Kemi marrëveshjen nga 27 shkurti, që është ligjërisht e detyrueshme. Po ashtu kemi aneksin e zbatimit të saj. Pra, për ne përparimi në dialog është zbatimi i këtyre dy dokumenteve”, theksoi ambasadori i BE-së.
Në Raportin e Progresit për Kosovën, në shumicën e fushave që vlerësohen, Komisioni Evropian ka thënë se Kosova ka shënuar “përparim të kufizuar”.
Në raport gjerësisht përmendet edhe situata e tensionuar e sigurisë në veri të Kosovës – që banohet me shumicë serbe – por edhe për procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë përmes dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Në raportin për Kosovën shprehjet keqardhje që Kosova dhe Serbia nuk kanë nisur t’i kryejnë obligimet e tyre nga dialogu pa parakushte dhe vonesa të tjera. Kosovës i bëhet ftesë veçmas që të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në raport, tashmë kërkohet që Asociacioni të themelohet duke pasur për bazë propozimin e fundit për draft-statusin për Asociacionin, që u është prezantuar palëve më 21 tetor.
“Nga Kosova pritet që të nisë procesin i cili çon deri te themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe bazuar në propozimin evropian që u është paraqitur palëve më 21 tetor 2023. Nga Serbia kërkon që të mbështesë këtë proces dhe paralelisht të nisë përmbushjen e obligimeve të saja kyçe nga Marrëveshja [drejt normalizimit të raporteve]”, thuhet në tekst, ku shtohet se “formalitetet, përfshirë edhe ato që lidhen me miratimin, nuk duhet të jenë pengesa në rrugën e përparimit në zbatim”.
Marrëveshja drejt normalizimit, që u arrit më herët gjatë vitit, kërkon nga palëve të zhvillojnë marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë, t’ia njohin njëra-tjetrës dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare. Për Kosovën, marrëveshja nënkupton njohje de facto nga Serbia, ndërsa për këtë të fundit aneksi i saj parasheh që Kosova ta formojë një Asociacion të komunave me shumicë serbe.
Ndërkaq, draft-statuti i prezantuar më 21 tetor nga përfaqësuesit e BE-së, Shteteve të Bashkuara, Italia, Gjermania dhe Franca, është thënë se është një model modern evropian. Ky dokument nuk është bërë publik, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se e ka pranuar atë dhe se i njëjti është shkruar me kujdes ndaj Kushtetutës së Kosovës.
Në raportin për Kosovën po ashtu përmendet largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar dhe bojkotin e tyre në zgjedhjet lokale të prillit të këtij viti. Këto veprime cilësohen si “shkelje të obligimeve të Serbisë që dalin nga dialogu dhe paraqesin kthim prapa të Serbisë në përmbushjen e obligimeve të marra nga marrëveshje e parë për parimet për normalizimin e raporteve [e vitit 2013] dhe paraqet shkelje direkte të marrëveshjes për drejtësinë të vitit 2015”.