Tash e 57 vjet, gërshërët dhe mantelin e bardhë i ka pjesë të pandashme të përditshmërisë.
Me muzikën nga kasetat në njërën anë dhe zhurmën nga trafiku në anën tjetër, Remzi Mehmeti pret flokë çdo ditë.
“Pse të mos punoj? Me shëndet jam mirë. Duart nuk më dridhen, e as me sy nuk kam probleme”, thotë berberi 72-vjeçar.
Që prej viteve ’70, ai punon në një floktari prej rreth 20 metrash katrorë në Lagjen Dardania në Prishtinë.
Edhe pse zonë me qarkullim të madh njerëzish, Remziu thotë se nuk ka shumë klientë - deri në dhjetë në ditë - por mjaftueshëm “për nevojat e mia”.
Dikur thotë se zanatin e kishte më fitimprurës, “mbante familjen 7-anëtarëshe me të”, por ishte koha kur në qytet “nuk ishin as dhjetë lokale berberësh”.
“Ata që vijnë tek unë tash, janë më në moshë. Të rinjtë paragjykojnë se i moshuari nuk i di trendet e reja”, thotë Remziu.
Teksa flet për Radion Evropa e Lirë, tregon se as atij nuk i pëlqejnë disa gjëra që praktikojnë të rinjtë në ditët e sotme, si për shembull terminët.
“Po çfarë terminësh te berberi? Ata bëhen për të shkuar te mjeku, në gjyq, në komunë...”, thotë me shaka Remziu.
Zanatin tregon se e ka trashëguar nga xhaxhai tij, por se djemtë e tij nuk kanë dashur ta vazhdojnë.
Ka qenë vetëm 15 vjeç kur ka qethur për herë të parë.
Atëkohë thotë se prerjet kanë qenë më klasike, por se kanë ndryshuar me kalimin e viteve.
“Flokë të gjata, të valëzuara e të shkurtra.... madje edhe shumë të shkurtra, sepse shumë qytetarë mbanin edhe plisa”, kujton Remziu.
Ai thotë se mban në mend edhe një periudhë kur janë kërkuar me të madhe stilet e flokëve që mbanin anëtarët e rock-grupeve të huaja, si Beatles apo Rolling Stones.
“Prerjet, atëherë, kanë qenë më të mira”, thotë me nostalgji.
Në lagjet e Prishtinës kanë mbetur të rralla ose nuk ka fare floktari modeste si të tijat.
Dominojnë ato më magjepsëse, me shumë drita e shumë punonjës. Ngjyrat, prerjet, stilet që krijojnë, variojnë - nga klasike deri në super-moderne.
Remziu thotë se lokali i tij i shërben edhe si vend shoqërimi me miqtë.
“Bëjmë muhabet, më shkon dita. Ky zanat më ka ndihmuar të kem edhe shëndet më të mirë”, thotë ai.
Njërin nga sirtarët e dollapit në lokal, e ka të mbushur me kaseta këngësh në gjuhën shqipe, që vazhdimisht dëgjohen në sfond.
Kur nuk ka klientë, kohën e kalon me një televizor të vjetër...
...apo duke plotësuar fjalëkryqe.
Të pensionohet nga puna thotë se nuk planifikon, derisa ta ketë shëndetin e mirë.
“Edhe nja 40 vjet jo”, thotë me shaka berberi flokëbardhë.