Associated Press
Konsumatorët amerikanë mund të marrin frymë më lirshëm pasi çmimet e benzinës kanë filluan të bien, teksa më herët ishin shënuar nivele rekorde. Por, çmimet në pompat e benzinës ende janë të larta dhe rënia dymujore e çmimeve mund të jetë drejt fundit.
Çmimi mesatar në nivel vendi për një gallon benzinë (3.78 litra) ra në 3.99 dollarë të enjten, tha Shoqata Amerikane e Automobilizmit. Kjo shifër paraqet një rënie prej 20 për qind krahasuar me muajin qershor, dhe për herë të parë që nga marsi, çmimi mesatar i benzinës ka rënë nën 4 dollarë.
Çmimet e benzinës zakonisht rriten dhe bien dhe çmimet e naftës dhe të naftës së papërpunuar po ashtu kanë filluar të bien. Çmimi standard në SHBA ka rënë pothuajse për një të katërtën që nga fillimi i qershorit.
Por, ka edhe faktorë të tjerë që kanë ndikuar në ngritjen e uljen e çmimeve të energjisë gjatë këtij viti.
Çfarë po ndodh?
Çmimet e benzinës shënuan rekord prej 5.02 dollarë më 14 qershor. Në atë kohë, nafta e papërpunuar amerikane ishte rreth 120 dollarë për fuçi dhe çmimi standard ndërkombëtar ishte disa dollarë më i lartë. Që atëherë, megjithatë, çmimet e naftës kanë rënë.
Çmimet e naftës janë rritur që nga prilli i vitit 2020, teksa kompanitë në mbarë botën nisën rimëkëmbjen nga pandemia dhe nisën të rihapen. Kërkesa për energji tejkaloi furnizimet, duke bërë përgjatë gjithë vitit 2021 dhe në fillim të këtij viti çmimet të ishin të larta. Më pas, në fund të shkurtit, pushtimi rus i Ukrainës nxiti rritjen e çmimit të naftës dhe çmimi qëndroi i lartë për këtë produkt deri në qershor. Megjithatë, rritja e shënuar gjatë këtij viti nuk ishte aq e lartë sa çmimet që ishin më 2008, nëse llogaritet edhe inflacioni.
Pse po ndodh kjo?
Çmimet e larta të energjisë kontribuuan edhe në rritjen e inflacionit në SHBA, që detyroi Rezervën Federale dhe bankat e tjera qendrore të rrisnin normat e interesit. Po ashtu, javëve të fundit janë rritur shqetësimet lidhur me drejtimin në të cilin po shkon ekonomia botërore.
Një recension – apo edhe një rritje e ngadalshme ekonomike - ndikon në kërkesën për energji dhe zakonisht bën që çmimet e naftës të bien. Dhe këtij skenari tani po i frikësohen investitorët në sektorin e naftës.
Edhe nëse çmimet vazhdojnë të bien, Organizata e Shteteve Eksportuese të Naftës (OPEC), tha më 11 gusht se ka ulur parashikimin për kërkesën e naftës në botë për pjesën e mbetur të këtij viti dhe vitin e ardhshëm.
Kjo organizatë i bazoi këto pritje në besimin se rritja ekonomike në SHBA, Kinë dhe shtete të tjera kyçe do të jetë më e ngadalshme sesa parashikimet paraprake.
Cilët janë faktorët e tjerë?
Është e pazakonshme që çmimet e benzinës të bien gjatë verës sepse në këtë periudhë ka më së shumti trafik në Shtetet e Bashkuara. Disa analistë besojnë se çmimet e larta kanë ndikuar që shoferët të përdorin më pak makinat e tyre, por nuk ka dëshmi të forta për të mbështetur këtë pretendim.
Disa shtete kanë pezulluar taksat e tyre për benzinën, duke ulur çmimin e këtij produkti për konsumatorët, të paktën përkohësisht.
Ku po shkojnë çmimet e benzinës?
Shumica e analistëve nuk mendojnë se çmimet do të rriten në një periudhë të shkurtër kohore dhe sipas tyre kjo mund të ndodhë nëse ka ndonjë ngjarje të papritur që do të mund të godiste prodhimin e naftës në Gjirin e Meksikës apo edhe vërshime në rafineritë e naftës. Këto kanë ndodhur edhe më herët dhe tani shteti po bëhet gati për sezonin e uraganeve.
Patrick De Haan, analist në GasBuddy, tha gjatë kësaj jave se nëse sezoni i uraganeve nuk do të godasë prodhimin e karburanteve, atëherë çmimet e benzinës duhet të bien për 10 deri në 25 centë për galon gjatë javëve në vijim.
Ndërkaq, Tom Kloza, analist në Shërbimin për informacione të çmimin e naftës, është më pak optimist. Ai tha se periudha 58-ditore e çmimeve të ulëta të benzinës, mund të mos vazhdojë më.
Përveç rrezikut nga uraganet, Kloza tha se rafineritë – që po operojnë me kapacitete të plota – duhet të ngadalësojnë operimin pasi do të duhet t’i nënshtrohen edhe mirëmbajtjes dhe mirëmbajtja mund të zgjasë.
Çfarë po ndodh me furnizimet e naftës në SHBA?
Industria e prodhimit të naftës amerikane ende nuk është rimëkëmbur plotësisht dhe nuk është rikthyer në nivelet e prodhimit që ishin para pandemisë. Prodhimi është 4.5 për qind më i ulët krahasuar me vitin 2019, thuhet në të dhënat e fundit të Qeverisë amerikane që janë publikuar në muajin maj.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka urdhëruar futjen në treg të rezervave të naftës amerikane.
Kloza tha se “edhe ata që e kundërshtojnë Bidenin duhet ta pranojnë se futja në treg e mbi 150 milionë fuçive të naftës së papërpunuar nga rezervat strategjike, ka dhënë rezultate”, por ai shtoi se është e paqartë se çfarë do të ndodhë kur këto fuçi nafte do të harxhohen më vonë gjatë këtij viti.
Cili është roli i energjisë në inflacion?
Çmimet e larta për energji dhe ushqim kanë qenë kontribuuesit kryesorë në inflacion. Ka disa mënyra se si kanë ndikuar këta dy komponentë. Kur çmimet e benzinës nisën të bien në korrik, ky fakt nisi të ndihmonte në lehtësimin e inflacionit.
Por, çmimet e benzinës në korrik ishin 28 për qind më të larta sesa më herët gjatë këtij viti, që nxitën që inflacioni të arrinte në 8.5 për qind.