Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se blloku evropian ka hartuar sanksione “të fuqishme dhe gjithëpërfshirëse” kundër Moskës, nëse Rusia pushton Ukrainën.
Rusia ka mbledhur rreth 100,000 trupa afër kufirit të Ukrainës dhe Perëndimi dyshon se këto veprime mund të çojnë në pushtim.
Në kohën e mbledhjes së trupave, Moska po kërkon garanci se Kievi nuk do të pranohet kurrë në NATO.
“Ne kemi përgatitur një paketë me sanksione të fuqishme financiare dhe ekonomike”, ka thënë von der Leyen në intervistat e dhëna për gazetat Handeslblatt dhe Les Echos, duke shtuar se aty përfshihen edhe kontrollet e eksportit, sidomos “në mallrat teknike”.
Von der Leyen ka thënë se gazsjellësi Rrjedha Veriore 2, është po ashtu pjesë e paketës së sanksioneve.
Sipas saj, varet nga “sjellja e Rusisë” nëse do të funksionalizohet ky projekt.
“Njerëzit e afërt me presidentin rus (Vladimir Putin) dhe oligarkët mund të goditen ndjeshëm”, ka thënë von der Leyen.
Në frontin diplomatik, presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili ka folur në telefon, si me Putinin, ashtu edhe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka njoftuar se do të udhëtojë në Rusi më 7 shkurt dhe më pas në Ukrainë më 8 shkurt.
Macron do të diskutojë për situatën e Ukrainës me të dy liderët, ka thënë Pallati Elysee përmes një deklarate më 4 shkurt.
Zelenskyi është takuar më 3 shkurt me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili ka thënë se mund të ndërmjetësojë tensionet mes Kievit dhe Moskës.
Erdogan ka thënë se Turqia “është e përgatitur për t’i dhënë fund krizës në mes të dy kombeve që janë fqinje në Detin e Zi”.
Lideri turk, i cili ka lidhje të ngushta me Putinin, ka thënë se “do të ishte i lumtur nëse do të ishte nikoqir i një samiti në nivel të liderëve në Turqi, apo i bisedimeve në nivel teknik”.
Zelenskiy e ka falënderuar Erdoganin për iniciativën e tij dhe ka mirëpritur planet e Turqisë për të zgjeruar misionin diplomatik në Ukrainë, si dhe për një marrëveshje që u mundëson fabrikave ukrainase që të prodhojnë dronë të Turqisë.
Turqia dhe Ukraina kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh gjatë takimit, duke përfshirë atë për tregti të lirë, e cila sipas Kievit do të rrisë tregtinë për gati 10 miliardë dollarë në periudhë pesëvjeçare, për dallim nga 7 miliardë sa është tani.
Erdogan është lideri i fundit i një shteti të NATO-s që viziton Kievin pas kryeministrave të Holandës, Polonisë dhe Britanisë, me qëllim të uljes së tensioneve pas pozicionimit të trupave ruse.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka akuzuar Moskën se ka mbledhur rreth 30 mijë trupa luftarake dhe armë moderne në Bjellorusi, para stërvitjeve të planifikuara më vonë gjatë këtij muaji.
Stoltenberg ka thënë se ky është pozicionimi më i madh i trupave ruse në Bjellorusi prej Luftës së Ftohtë.
Njoftimi i Stoltenbergut ka ardhur pasi Uashingtoni ka thënë se do të dërgojë mijëra trupa në Evropë për të forcuar aleatët e NATO-s.
Kremlini ka thënë se veprimi amerikan po rrit edhe më shumë krizën në vend të shtensionimit të saj.
SHBA-ja dyshon për komplot të rremë rus që të arsyetohet pushtimi
Shtetet e Bashkuara kanë pretenduar se Rusia është duke planifikuar që të inskenojë sulm të rremë ukrainas, përmes së cilit do ta mund ta arsyetonte pushtimin.
Sipas autoriteteve amerikane, Moska mund të publikojë video që tregojnë për një sulm në territorin rus apo kundër popullsisë që flet rusisht në lindje të Ukrainës.
Rusia ka mohuar se është duke planifikuar fabrikim të sulmit, dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë ofruar të dhëna për të mbështetur pretendimet.
“Ne kemi informacione se rusët mund të fabrikojnë një pretekst për pushtim”, ka thënë zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby para gazetarëve.
“Në kuadër të këtij sulmi të rremë, ne besojmë se Rusia do të prodhojë video propaganduese ku shihen kufoma dhe lokacione të shkatërruara”, ka thënë ai.
Mirëpo zyrtarë të lartë amerikanë kanë thënë se pamjet janë vetëm disa prej ideve që ka Rusia për të ofruar pretekst për të pushtuar vendin fqinj.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se kjo nuk është hera e parë që premtohet publikimi i hollësive për “provokimet ruse”.
“Diçka e ngjashme është thënë edhe në të kaluarën, mirëpo detajet nuk kanë dalë kurrë”, ka thënë mes tjerash ai.
Facebook Forum