Ndërlidhjet

BE-ja miraton pakon e 11-të të sanksioneve ndaj Rusisë


Flamujt e BE-së dhe Ukrainë, pranë Parlamentit Evropian në Strasburg të Francës, 7 mars 2022.
Flamujt e BE-së dhe Ukrainë, pranë Parlamentit Evropian në Strasburg të Francës, 7 mars 2022.

Këshilli i Bashkimit Evropian e ka miratuar pakon e 11-të të sanksioneve kundër Rusisë për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës. Në këtë pako zgjerohen disa kufizime të mëhershme dhe shtohen dhjetëra entitete të reja në listën e sanksioneve.

Përmes kësaj pakoje, Bashkimi Evropian po tenton t’ua pamundësojë vendeve dhe kompanive të tjera t’i anashkalojnë masat e vendosura më parë.

Këshilli i publikoi sanksionet pas miratimit të tyre më 23 qershor, duke thënë se pakoja do të sigurojë që sanksionet e BE-së kundër Rusisë “të zbatohen edhe më mirë, bazuar në mësimet e nxjerra nga zbatimi i tyre gjatë vitit të kaluar”.

Sanksionet e fundit synojnë t’i mbyllin zbrazëtirat në atë mënyrë që mallrat dhe teknologjia kyçe për përpjekjet luftarake të Rusisë të mos arrijnë në Rusi nëpërmjet vendeve që tregtojnë me BE-në.

Këshilli i BE-së tha se ka shtuar 87 entitete të reja në listën e sanksioneve, për të cilat BE-ja thotë se “po e mbështesin drejtpërdrejt kompleksin ushtarak dhe industrial të Rusisë në luftën e saj kundër Ukrainës”. Këto kompani, tha blloku evropian, janë të regjistruara në Kinë, Uzbekistan, Emiratet e Bashkuara Arabe, Siri dhe Armeni.

“Sisteme janë duke u vendosur në disa vende për monitorimin, kontrollin dhe bllokimin e rieksportit”, thuhet në deklaratën e BE-së.

“Shifrat anormale të tregtisë për disa produkte/vende shumë specifike janë dëshmi e fortë se Rusia po përpiqet në mënyrë aktive t’i anashkalojë sanksionet. Kjo kërkon që ne t’i dyfishojmë përpjekjet tona në trajtimin e anashkalimit dhe t'u kërkojmë fqinjëve tanë bashkëpunim edhe më të ngushtë”.

Pakoja e re lejon zbatimin e masave që kufizojnë eksportin e mallrave dhe teknologjisë drejt vendeve të treta, të cilat më pas mund t'i transferojnë ato në Rusi. Rregullat e reja ia lejojnë BE-së të ushtrojë shumë më tepër presion për t'i dhënë fund praktikës së mëparshme.

Zyrtarët e BE-së kanë qenë prej kohësh të shqetësuar për një rritje të kërkesës për produktet e BE-së nga fqinjët e Rusisë, të cilët kanë vazhduar marrëdhënie tregtare me Moskën.

Pakoja gjithashtu përfshin pezullimin e licencave të transmetimit të BE-së për pesë media të tjera shtetërore ruse të kontrolluara, duke e çuar numrin total të mediave në dhjetë.

Për më tepër, pakoja ndalon hyrjen në portet e BE-së për anijet që angazhohen në transferimin e naftës së papërpunuar ose të produkteve të naftës në det, nëse ka arsye për të dyshuar se ngarkesa ka origjinë ruse.

Qëndroni me ne

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG