Ndërlidhjet

Vlerësime pozitive për zgjedhjet në Kosovë


Zgjedhjet lokale në Kosovë
Zgjedhjet lokale në Kosovë

Zgjedhjet komunale të 22 tetorit në Kosovë, në përgjithësi janë vlerësuar pozitivisht, me disa vërejtje rreth presioneve në komunat e banuara me shumicë serbe. Këto vlerësime i ka dhënë Misioni Vëzhgues i Bashkimit Evropian, i udhëhequr nga Alojz Peterle. Në komunat me shumicë serbe, është potencuar presioni ndaj qytetarëve dhe subjekteve tjera politike, duke favorizuar Listën Serbe, e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar.

Shefi i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, Alojz Peterle tha gjatë një konferencë për media se zgjedhjet lokale në Kosovë, këtë herë janë organizuar më mirë dhe në mënyrë më transparente, krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2013.

Dita e zgjedhjeve ishte e qetë, pa incidente të mëdha dhe në përgjithësi zgjedhjet janë vlerësuar pozitivisht nga vëzhguesit tanë të BE-së”, ka thënë Peterele.

Megjithatë, Peterle ka përmendur disa kërcënime dhe presione në komunat e banuara më shumicë serbe, ku kryesisht janë atakuar ata qytetarë dhe subjekte politike që nuk i përkasin Listës Serbe.

Këto parregullsi, tha ai, kanë bërë që këto zona të mos i plotësojnë standardet evropiane dhe ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.

Procesi zgjedhor i ka përmbushur standardet ndërkombëtare dhe vendore, ku përjashtim bëjnë komunat me shumicë serbe, me ç’rast votuesve u është bërë presion për të votuar nga komuniteti njëjtë”, kanë thënë edhe përfaqësues të koalicionit “Demokracia në Veprim”, që ka zgjedhjet i kanë monitoruar me 2 mijë e 500 vëzhgues.

Albert Krasniqi nga ky koalicion, ka thënë se “në komunat e banuara me shumicë serbe, presioni ka ardhur kryesisht prej votueseve të cilët në mënyrë të organizuar ka ardhur nga Serbia për të votuar në këto komuna dhe duke i kërkuar qytetarëve që të dalin dhe të votojnë”.

Edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vlerësuar se procesi zgjedhor ka qenë i qetë dhe pa ndonjë incident të theksuar.

Kryetarja e këtij Komisioni, Valdete Daka tha se organizimi i këtyre zgjedhjeve ka dëshmuar që KQZ-ja ka kapacitete të plota dhe vullnet për të përmbushur detyrimet ligjore.

Dita e zgjedhjeve, pa dyshim është një ndër ditët më të mira për demokracinë e Kosovës. Tashmë si një vend i ri, i kemi dhënë një pamje vendit tonë në botë për zgjedhje të lira, demokratike, sipas standardeve ndërkombëtare”, ka thënë Daka.

Puna e KQZ-së, sipas kryetares Daka, tashmë është e orientuar te shpallja sa më e shpejtë e rezultateve përfundimtare, konkretisht rezultateve për kryetarë të komunave.

Njëherësh ajo ka siguruar të gjithë kandidatët se KQZ edhe gjatë këtij procesi do të ofrojë transparencë maksimale.

Ndryshe, për parregullsitë që janë paraqitur ditën e zgjedhjeve në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa janë deponuar 125 ankesa, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Mul Desku, kryesues i Sekretariatit të këtij Paneli.

Pjesa më e madhe e këtyre ankesave i referohet numërimit të rezultateve. Kështu që në njëfarë mënyre, konsiderohen si të parakohshme këto ankesa. Ankesat lidhur me rezultatet e zgjedhjeve duhet të bëhen pas publikimit të rezultateve nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe jo tashmë në këtë kohë”, ka thënë Desku.

Ndryshe, për monitorimin e zgjedhjeve lokale që janë mbajtur në 38 komuna, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte akredituar 33 mijë e 200 vëzhgues.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG