Bashkimi Evropian është shprehur i shqetësuar për situatën e krijuar në Lindjen e Mesme pas sulmeve ndaj Izraelit të organizatës Hamas, të cilën BE-ja e konsideron si organizatë terroriste.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka konfirmuar se përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka thirrur një takim të ministrave të jashtëm të 27 vendeve anëtare për të diskutuar për situatën. Ky takim do të zhvillohet në Muskat ku ndodhen shumica e ministrave evropianë për takimin e Këshillit të bashkëpunimit në Lindjen e Mesme.
BE-ja ka përsëritur se Izraeli pa asnjë dyshim ka të drejtë të mbrohet nga sulmet e tilla, por duke respektuar të drejtën ndërkombëtare. Zëdhënësi i BE-së ka thënë se janë duke u zhvilluar shumë aktivitetet diplomatike, ndërsa ka bërë thirrje që Hamasi t’i lirojë sa më parë pengjet që ka kapur.
Si një prej financuesve më të mëdhenj të ndihmës humanitare, BE-ja është duke shqyrtuar edhe këtë ndihmë për palestinezët pas sulmeve të fundit. Disa shtete anëtare kanë vendosur ta pezullojnë këtë ndihmë për të siguruar se nga to nuk përfitojnë organizatat, të cilat konsiderohen terroriste.
- OKB: Mbi 123.000 palestinezë të zhvendosur brenda Gazës, pas bombardimeve izraelite
- Lufta mes Izraelit dhe Hamasit ka rrezik të përhapet
- Kush është Hamasi?
- Kush është Hezbollahu?
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer, ka deklaruar se “BE-ja thotë se nuk financon në asnjë mënyrë Hamas-in apo cilëndo organizatë tjetër, e cila konsiderohet terroriste". Zëdhënësi i BE-së ka thënë se ndihma humanitare që i është dhënë popullit të Palestinës, u nënshtrohet rregullave të rrepta në mënyrë që mjetet financiare të BE-së të mos bien në duart e organizatave, me të cilat BE-ja nuk ka kontakte e Hamas-i është një prej tyre.
Bashkimi Evropian, nga ana tjetër, ndihmon autoritetet palestineze, të cilat ushtrojnë pushtetin më shumë në Bregun Perëndimor.
Bashkimi Evropian është duke bashkëpunuar edhe me organizatat humanitare ndërkombëtare për t’u përgjigjur ndaj krizës humanitare që pritet të krijohet pas shpërthimit të luftimeve në Lindjen e Mesme.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, po ashtu, ka hedhur poshtë të gjitha spekulimet se lufta në Lindjen e Mesme do të ndikojë në gatishmërinë e BE-së për të vazhduar ndihmën ndaj Ukrainës.
“Asgjë në asnjë moment nuk do të ndikojë në gatishmërinë tonë për të ndihmuar Ukrainën. Këtë e kemi përsëritur disa herë dhe e përsërisim prapë”, ka thënë zëdhënësi i KE-së Eric Mamer.
Ndërsa, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se a po e analizon BE-ja rolin eventual të Rusisë në shpërthimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, zëdhënësi i BE-së ka thënë se “vendet e BE-së i shikojnë të gjitha mundësitë, kurse Rusia gjithmonë është e interesuar të shkaktojë destabilitet kudo në botë”.