Ndërlidhjet

BE e kënaqur me raportet Kosovë - Serbi


BE
BE
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë mbështetur integrimin e Ballkanit në BE, derisa disa nga ta, kanë folur për raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

BE-ja po ndërmjetëson në dialogun mes Kosovës e Serbisë, ndërsa sot, është përshëndetur nga BE-ja edhe nisja e zbatimit të njërës prej marrëveshjeve më të diskutueshme mes palëve, ajo e Menaxhimit të Integruar të Kufirit, apo IBM-së.

Baronesha Catherine Ashton, përfaqësuese e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, është shprehur për marrëveshjen para nisjes së takimit të shefave të diplomacisë së BE-së.

Jam shumë e lumtur që ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, kemi të hapura dy vendkalime që menaxhohen në mënyrë të përbashkët, që janë hapur sot”, u shpreh Ashton.

Ashton raportoi për ecurinë e deritashme të dialogut që zhvillohet ndërmjet kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë Ivica Daçiq, të cilin e lehtëson ajo.

Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle ka përgëzuar palët për nisjen e zbatimit të IBM-së.

Mendoj se ajo që kemi parë mes Serbisë e Kosovës ishte një përparim i shkëlqyer. Ne vetëm mund të inkurajojmë të gjithë pjesëmarrësit dhe të gjitha palët, që të qëndrojnë në këtë rrugë. Mendojmë se është absolutisht e rëndësishme që të gjithë ta kuptojnë se nga perspektiva e Bashkimit Evropian, integriteti territorial është pa dyshim suprem”, u shpreh Westerwelle.

Ndërkaq, Ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl Bildt, duke folur për raportet mes Kosovës e Serbisë, ka thënë se dialogu i zhvilluar në Bruksel, ka qenë më pozitiv sesa që është pritur.

Mendoj se dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës është zhvilluar në një mënyrë më pozitive se sa që pritej. Le të shohim se çfarë ndodhë sot, pas ngritjes së vendkalimit të parë kufitar mes Serbisë dhe Kosovës. Shpresoj se do të funksionojë mirë. Do ta mësojmë këtë sot dhe nesër”, u shpreh Bildt.

Ministri i Jashtëm polak, Radek Sikorski, ka thënë se integrimi në BE, nuk është i kompletuar pa anëtarësimin e vendeve të Ballkanit.

Ne e konsiderojmë integrimin e Ballkanit Perëndimor si një copë të papërfunduar të punës. Mbështesim politikisht integrimin e Ballkanit Perëndimor, natyrisht, nëse këto vende na bindin se janë të afta për bashkëpunim me njëra-tjetrën, se i zgjidhin dallimet mes vete dhe se i përmbushin të gjitha kriteret, siç kanë bërë dhe të tjerët”, u shpreh Sikorski.

Burimet e Bashkimit Evropian kanë bërë të ditur se edhe gjatë ditës së sotme në takimin e tyre, Ministrat e Jashtëm të BE-së, do të diskutojnë draftin e konkluzave për të gjitha vendet e përfshira në procesin e zgjerimit, sikur edhe për Ballkanin Perëndimor.

Të njëjtat burime kanë thënë se më së vështiri është të arrihet kompromisi për gjuhën që do të përdoret në konkluzat për Kosovën dhe për Serbinë.

Ideja është që për të dy vendet të përmendet mundësia e vendimit për të nisur marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën në muajin qershor, dhe për të nisur negociatat për anëtarësimin e Serbisë po këtë muaj të vitit që vjen. Mirëpo, ka shtete të cilat kundërshtojnë përmendjen e çfarëdo date.

Pa marrë parasysh se si do të formulohet kjo, është e qartë se si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë do të jepet porosia se secili vendim do të merret vetëm nëse plotësohen kushtet e nevojshme të caktuara më parë edhe nga Komisioni Evropian.

Në konkluza pritet të thuhet se rruga e Kosovës dhe Serbisë drejt BE-së, gjithsesi duhet të çojë përmes përmirësimit të pakthyeshëm të raporteve në mes të dyja palëve.

“Duhet të arrihen raporte të tilla që Kosova dhe Serbia të jenë në gjendje të realizojnë perspektivën e tyre evropiane, pa qenë mundësitë që ndonjëra ta bllokojë tjetrën në këtë rrugë”, thuhet në propozim- konkluzat, të cilat pritet të miratohen gjatë ditës së nesërme.

Po ashtu, pritet që BE-ja me takimin e sotëm dhe të nesërm, të është e gatshme të vazhdojë procesin e zgjerimit të BE-së, proces i cili ka ndihmuar në stabilitetin e rajonit dhe të tërë kontinentit të Evropës.

Kjo gjë, është e domosdoshme, pohojnë në BE, sidomos tash, kur sot Bashkimi Evropian ka marrë edhe Çmimin Nobel për Paqe, ndërsa procesi i zgjerimit shihet si proces që ka kontribuar në ndërtimin e paqes në këtë kontinent. (a.p. & a.i.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG