Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, ka konfirmuar se institucionet evropiane po e trajtojnë si “çështje urgjente” situatën e krijuar në Kosovë dhe janë në kontakt me Prishtinën, Beogradin dhe me përfaqësuesit e KFOR-it, për të verifikuar ngjarjet në vijën kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë, kur janë arrestuar tre zyrtarë policorë kosovarë nga forcat serbe.
“Ne jemi – si çështje urgjente – në kontakt me të dyja palët, si dhe me KFOR-in, për të përcaktuar se çfarë dhe si ka ndodhur saktësisht”, tha Stano në një deklaratë me shkrim.
Zëdhënësi i BE-së i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim apo reagim që mund të kontribuojë më tej në ngritjen e tensioneve.
“Ne përsërisim thirrjen e BE-së për shtensionimin e menjëhershëm dhe vendimtar të situatës”, tha Stano.
Tre zyrtarë të Policisë së Kosovës janë arrestuar më 14 qershor nga forcat serbe në afërsi të vijës kufitare.
Policia e cilësoi këtë si "kidnapim klasik të organizuar" brenda territorit të Kosovës, kurse në Beograd u tha se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë, në komunën e Rashkës.
Ngjarja, sipas Policisë së Kosovës ka ndodhur mesditën e së mërkurës, kur ata dyshohet se janë rrëmbyer nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës.
Vendi Tresave/Bare gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.
Ndërkaq, Serbia tha se arrestimi u bë në një fshat të komunës së Rashkës.
Zyrtarët shtetërorë në Kosovë e kanë dënuar këtë veprim dhe kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të zyrtarëve policorë.