Ndërlidhjet

BE-ja nuk i njeh të gjitha vaksinat kundër COVID-19


Një punëtore shëndetësore në Kroaci përgatitet të administrojë dozën e vaksinës AstraZeneca. Fotografi nga arkivi.
Një punëtore shëndetësore në Kroaci përgatitet të administrojë dozën e vaksinës AstraZeneca. Fotografi nga arkivi.

Pasi Dr. Ifenayi Nsofor dhe gruaja e tij morën dy dozat e vaksinës AstraZeneca në Nigeri, ata menduan se gjatë kësaj vere do të mund të udhëtonin në ndonjë prej shteteve evropiane. Por, u gabuan.

Ky çift – dhe miliona persona të tjerë që janë vaksinuar kundër COVID-19 me ndihmën e Kombeve të Bashkuara – mund të ndalohen që të hyjnë në shumë shtete evropiane dhe shtete të tjera, pasi ato shtete nuk e njohin për udhëtim versionin e vaksinës AstraZeneca që është prodhuar në Indi, shkruan Associated Press.

Edhe pse vaksina AstraZeneca prodhohet në Evropë dhe është miratuar për përdorin nga Agjencia Evropiane e Barnave, e njëjta vaksinë, që prodhohet në Indi, ende nuk ka marrë dritën e gjelbër për përdorim.

Në Kosovë po ashtu administrohet vaksina AstraZeneca, por nga Ministria e Shëndetësisë nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse në vend përdoren vaksina AstraZeneca të prodhuara në Indi.

Kosova ka pranuar vaksina AstraZeneca si donacion nga programi COVAX, po ashtu nga Norvegjia, Kroacia dhe Mali i Zi.

Rregullatorët e BE-së thanë se AstraZeneca nuk ka përfunduar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për fabrikën indiane, përfshirë këtu edhe detajet mbi praktikat e saj të prodhimit dhe standardet e kontrollit të cilësisë.

Por, disa ekspertë e përshkruajnë këtë lëvizje të BE-së si diskriminuese dhe të pabazuar në shkencë, duke theksuar se Organizata Botërore e Shëndetësisë ka inspektuar dhe miratuar fabrikën në Indi. Zyrtarët shëndetësorë kanë thënë se situata jo vetëm që ta komplikojë udhëtimin dhe do të frustrojë ekonomitë e ndjeshme, por gjithashtu do të minojë besimin për vaksinat duke etiketuar disa vaksina si vaksina që janë nën standardin e kërkuar.

Derisa fushata e vaksinimit po përfshin mbarë Evropën dhe shtete të tjera të pasura, autoritetet janë në ankth që ta shpëtojnë turizmin veror, duke lehtësuar masat kufizuese për kalimin e kufijve.

Gati për pushime
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:10:48 0:00

Më herët gjatë këtij muaji, Bashkimi Evropian prezantoi certifikatën digjitale për COVID-19, që u mundëson banorëve të BE-së të lëvizin lirshëm në 27 shtetet e bllokut evropian nëse janë vaksinuar me një prej katër vaksinave të autorizuara nga Agjencia Evropiane e Barnave. Shtetasit e BE-së po ashtu mund të udhëtojnë lirshëm nëse prezantojnë një test negativ për COVID-19 apo dëshmi se e kanë kaluar virusin.

Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe gjerësisht janë të mbyllura për vizitorët e jashtëm dhe certifikatat e BE-së janë parë si një model i mundshëm për udhëtimet në epokën e pandemisë COVID-19 dhe si një mënyrë për shtytje ekonomike.

Vaksinat e mbështetura nga BE-ja përfshijnë edhe ato të prodhuara nga Pfizer, Moderna dhe Johnson & Johnson. Por, aty nuk përfshihet vaksina AstraZeneca, që prodhohet në Indi, apo edhe vaksinat e tjera të prodhuara në shtetet në zhvillim, përfshirë edhe vaksinat e prodhuara në Kinë dhe Rusi.

Secili shtet i BE-së është i lirë që të aplikojë rregullat e tij për udhëtarët që vijnë nga brenda dhe jashtë bllokut dhe rregullat dallojnë nga shteti në shtet, duke krijuar edhe më shumë konfuzion te turistët. Disa shtete të BE-së, përfshirë Belgjikën, Gjermaninë dhe Zvicrën lejojnë personat që kanë marrë vaksina që nuk janë të mbështetura nga BE-ja, ndërkaq disa shtete tjera, përfshirë Francën dhe Italinë nuk lejojnë një gjë të tillë.

Për Nsoforin, kuptimi që ai mund të ndalohet ishte “zhgënjyes”. Pas një viti të vështirë të punës gjatë pandemisë në Abuxha, Nsofor dhe gruaja e tij, së bashku me dy vajzat e tyre, mezi po prisnin që të kalonin pushimet verore në Evropë, ndoshta për të vizituar Parisin apo Salzburgun.

Nsofor theksoi se vaksina e prodhuara në Indi, me të cilën është vaksinuar, është e autorizuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për përdorim emergjent dhe këtë vaksinë e kishte dhuruar COVAX-i, programi i Kombeve të Bashkuara, që ndihmon shtetet e varfra me vaksina kundër koronavirusit.

Autorizimit për përdorim emergjent të lëshuar nga OBSH-ja i parapriu një vizitë në fabrikën e Institutit Serum të Indisë, për t’u siguruar se kjo fabrikë përmbushte praktikat e mira të prodhimit dhe standardet e kontrollit të cilësisë.

“Ne jemi mirënjohës ndaj BE-së për financimin e COVAX-it, por tani ata, në thelb po diskriminojnë ndaj një vaksine që në mënyrë aktive e kanë financuar dhe promovuar”, tha Nsofor.

“Kjo do të krijojë hapësirë për lloj-lloj teorish të konspiracionit që vaksinat që po i merr Afrika nuk janë aq të mira sa ato që marrin për vete ata në Perëndim”, shtoi ai.

Ivo Vlaev, profesor në Universitetin e Varvikut të Britanisë, që ka këshilluar qeverinë lidhur me sjelljet sociale gjatë COVID-19, është pajtuar se refuzimi i shteteve perëndimore për të njohur vaksinat që përdoren në shtetet e varfra, rrisin mosbesimin ndaj vaksinave.

“Njerëzit që veçse dyshojnë në vaksina do të bëhen edhe më dyshues ndaj tyre”, tha Vlaev.

“Ata po ashtu mund të humbasin besimin në mesazhet e qeverive për shëndetin publik dhe të jenë më pak të vullnetshëm për të respektuar rregullat kundër COVID-19”, shtoi ai.

Dr. Mesfin Teklu Tessema, drejtor i shëndetësisë në Komitetin Ndërkombëtar të Shpëtimit, tha se shtetet që kanë refuzuar që të njohin vaksinat e miratuara nga OBSH-ja po veprojnë kundër të dhënave shkencore.

“Vaksinat që kanë plotësuar kriteret e OBSH-së duhet të pranohen. Në të kundërtën, e gjithë kjo duket se ka një element të racizmit”, tha ai.

OBSH-ja u ka bërë thirrje shteteve që të njohin të gjitha vaksinat që ka autorizuar, përfshirë edhe dy vaksina që janë prodhuar në Kinë. Shtetet që refuzojnë të bëjnë një gjë të tillë, “minojnë besimin në vaksinat që po shpëtojnë jetë dhe që tashmë kanë treguar se janë të sigurta dhe efektive, duke ndikuar në marrjen e vaksinave dhe potencialisht duke vënë në rrezik miliarda persona”, tha OBSH-ja më herët gjatë këtij muaji.

Në qershor, drejtori ekzekutiv i Institutit Serum të Indisë, Adar Poonawalla, shkroi në Twitter se ai ishte i shqetësuar me indianët e vaksinuar, të cilët mund të përballeshin me probleme gjatë udhëtimeve në BE dhe shtoi se këtë problem ai do ta diskutonte në nivelet më të larta me rregullatorët dhe shtete të ndryshme.

Stefan De Keersmaeker, zëdhënës i Komisionit të BE-së për Shëndetësi, javën e kaluar tha se rregullatorët ishin të obliguar të kontrollojnë procesin e prodhimit në fabrikën indiane.

“Ne nuk po mundohemi që të krijojmë dyshime për këtë vaksinë”, tha ai.

AstraZeneca ka thënë se vetëm ka dorëzuar dokumentacionin për fabrikën në Indi tek agjencia e barnave të BE-së. Por, nuk ka treguar pse nuk e ka bërë më herët një gjë të tillë, para se agjencia të merrte vendimin në janar.

Ekspertët e shëndetit publikë kanë paralajmëruar shtetet që po refuzojnë të njohin vaksinat, që janë të miratuara nga OBSH-ja, duke thënë se këto vende po ndërlikojnë përpjekjet globale që në mënyrë të sigurt të rinisin udhëtimet.

“Të përjashtosh njerëz të caktuar nga shtete të caktuara për shkak të vaksinës që ata kanë marrë nuk konsiston me atë që dimë e që është se të gjitha këto vaksina që janë miratuar ofrojnë jashtëzakonisht mbrojtje”, tha Dr. Raghib Ali nga Universiteti i Kembrixhit.

Nsofor tha se ai dhe bashkëshortja e tij ende nuk kanë vendosur se ku do të kalojnë pushimet verore, por dy opsionet kryesore janë Singapori ose Afrika Lindore.

“Ne nuk e kishim kuptuar se kishte kaq shumë shtresa të padrejtësive sa i përket vaksinave”, tha ai.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG