Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian i kanë aprovuar sanksionet e reja kundër shtatë individëve dhe shtatë entiteteve të lidhur me Iranin, pasi aleatët perëndimorë të Kievit e akuzuan Teheranin se e furnizoi Rusinë me raketa balistike për ta ndihmuar në pushtimin e plotë të Ukrainës.
Sanksionet, për të cilat u raportua ekskluzivisht nga Radio Farda e Radios Evropa e Lirë javën e kaluar, prekin kompani dhe individë të akuzuar se janë përfshirë në dërgimin e armëve në Rusi, përfshirë kompaninë kryesore ajrore të vendit, Iran Air, si dhe kompanitë ajrore Saha Airlines dhe Mahan Air.
Në mesin e individët të sanksionuar janë zëvendësministri i mbrojtjes i Iranit, Seyed Hamzeh Ghalandari; zyrtarë të lartë të Forcës Kuds të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC-QF); Shtabi Qendror i IRGC Khatam al-Anbiya dhe Divizioni i Hapësirës Ajrore të IRGC-së, si dhe drejtorë të përgjithshëm të kompanive të listuara nga BE-ja, Industritë për Prodhimin e Avionëve të Iranit (HESA) dhe Organizata e Industrive të Hapësirës Ajrore (AIO).
Para një muaji, Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca dhe Gjermania e akuzuan Iranin se e furnizoi Rusinë me raketa balistike dhe teknologji të ngjashme, për t'u përdorur kundër Ukrainës, duke nxitur aleatët evropianë të konsultohen për këtë çështje.
"Sanksionimi i sotëm përfshin individë dhe entitete përgjegjëse për zhvillimin dhe transferimin e automjeteve ajrore pa pilot (UAV), raketave dhe teknologjive të ngjashme në Rusi, në mbështetje të luftës së saj agresore kundër Ukrainës, dhe te grupe të armatosura dhe entitete që minojnë paqen dhe sigurinë në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Detit të Kuq", thuhet në një deklaratë të Këshillit të BE-së më 14 tetor.
Të sanksionuarave do t’u ngrihen asetet dhe nuk do t’iu lejohet të udhëtojnë në Bashkimin Evropian. Për më tepër, ndalohet ofrimi i fondeve ose burimeve ekonomike, drejtpërdrejt ose tërthorazi, me ata që janë të sanksionuar.
Iran Air kryen fluturime të drejtpërdrejta në disa qytete të Evropës, përfshirë Frankfurtin, Hamburgun, Këlnin, Parisin dhe Milanon.
Sanksionet e reja të BE-së vijnë vetëm disa ditë pasi Peter Stano, zëdhënësi i BE-së, i tha RER-it se ishte "optimist" për marrëdhëniet e BE-së me Iranin.
Stano theksoi se marrëdhëniet e BE-së me Iranin "kanë qenë për një kohë të gjatë në pikën më të ulët" nënvizoi se arsyeja më freskët është mbështetja që Irani ia ka dhënë Rusisë në pushtimin e jashtëligjshëm të Ukrainës, duke e furnizuar me dronë dhe rishtazi edhe me raketa.
Shtypja në Iran, ndalimi arbitrar i qytetarëve të BE-së dhe pasurimi i uraniumit janë faktorë të tjerë që kanë bërë që marrëdhëniet e republikës islamike me BE-në të bëhen "të ndërlikuara" dhe "të ndjeshme", sipas Stanos.