Ndërlidhjet

BE rikthen prezencë minimale në Afganistan


Flamujt e Bashkimit Evropian.
Flamujt e Bashkimit Evropian.

Bashkimi Evropian ka thënë se do të rikthejë prezencë “minimale” në Afganistan, për qëllime humanitare, teksa kriza e madhe ekonomike ka përbllur miliona afganë me varfëri.

Megjithatë, blloku evropian ka thënë se ky veprim nuk nënkupton njohje të administratës së udhëhequr nga talibanët.

Ky vendim, i konfirmuar nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano më 21 janar, përbën njoftimin e parë të tillë nga fuqitë e Perëndimit, prej kur shumica e qeverive kanë tërhequr stafin e tyre nga Kabuli, pas rënies së Afganistanit nën talibanët, në gusht të vitit 2021.

Talibanët do të zhvillojnë bisedime me zyrtarë të Perëndimit në Olso javën e ardhshme për të diskutuar të drejtat e njeriut dhe ndihmën humanitare.

Kjo njëherësh shënon vizitën e tyre të parë në Perëndim, prej kur talibanët janë kthyer në pushtet, kanë thënë Qeveria e Norvegjisë dhe ajo e talibanëve të premten.

Përgjatë vizitës – nga e diela deri të martën – talibanët do të bisedojnë me “autoritetet norvegjeze dhe zyrtarë nga një numër shtetesh”, duke përfshirë Britaninë, Bashkimin Evropian, Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Shtetet e Bashkuara.

“Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar për situatën në Afganistan, ku miliona njerëz janë duke u përballur me katastrofë humanitare”, ka thënë ministrja e Jashtme e Norvegjisë, Anniken Huitfeldt.

Talibanët janë rikthyer në pushtet në Afganistan verën e kaluar, ndërkohë që trupat ndërkombëtare janë tërhequr pas prezencës për dy dekada.

Pushtimi amerikan më 2001 ka rrëzuar talibanët, pas sulmeve të 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkuara.

Situata humanitare në Afganistan është përkeqësuar në mënyrë drastike prej muajit gusht.

Ndihma ndërkombëtare është ndalur dhe Shtetet e Bashkuara kanë bllokuar 9.5 miliardë dollarë të aseteve të Bankës Qendrore të Afganistanit.

Varfëria tani rrezikon 23 milionë afganë, apo 55 për qind të popullsisë, sipas Kombeve të Bashkuara, të cilat kanë thënë se nevojiten 5 miliardë dollarë nga donatorët këtë vit, për të adresuar krizën humanitare në këtë shtet.

Talibanët kanë thënë se ministri i Jashtëm, Amir Khan Muttaqi do të udhëheqë delegacionin.

“Kjo vizitë do të hapë rrugën për bisedime dhe takime”, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Zabihullah Mujahid, për agjencinë e lajmeve AFP.

Bisedimet do të zhvillohen edhe me përfaqësues nga Uashingtoni për “çështjet në pritje” sikurse lirimi i fondeve të ngrira, ka thënë ai.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG