Ndërlidhjet

BE-ja mundëson qasje pa tarifa të importeve ukrainase


Ndërtesa e Komisionit Evropian në Bruksel. 20 shtator 2023.
Ndërtesa e Komisionit Evropian në Bruksel. 20 shtator 2023.

Bashkimi Evropian ka arritur një marrëveshje të përkohshme më 20 mars që u jep prodhuesve ushqimorë ukrainas qasje pa tarifa në tregun evropian deri në qershor të vitit 2025, megjithëse ka kufizime të reja në importet e drithërave.

Komisioni Evropian propozoi në janar të pezullojë detyrimet dhe kuotat në prodhimin e fermave ukrainase edhe për një vit tjetër, me një “frenim urgjent” për shpendët, vezët dhe sheqerit, duke çuar në vendosjen e tarifave nëse importet tejkalojnë nivelet mesatare të vitit 2022 dhe 2023.

Megjithatë, pas muajsh protesta të fermerëve lidhur me rregullat mjedisore të BE-së dhe për importet e lira, ligjvënësit e BE-së shtyn përpara zgjerimin e listës urgjente në prodhimin e importeve të tjera bujqësore dhe shtuan vitin 2021 si vit referimi. Një gjë e tillë u parapa para se Rusia të niste pushtimin e Ukrainës, kur eksportet ukrainase në BE u frenuan nga tarifat dhe kuotat.

Negociatorët nga Parlamenti Evropian dhe Presidenca belge e BE-së u pajtuan mëngjesin e së mërkurës që të shtojnë në listë tërshërën, misrin, drithërat dhe mjaltin, duke mbajtur kufizimin e mesatares së importeve të vitit 2022 dhe 2023.

Negociatorët u pajtuan që Komisioni do të vepronte brenda 14 ditësh, në vend se 21 ditë sa ishte paraparë fillimisht, nëse do të arriheshin nivelet e duhura të importeve.

Fqinjët e Ukrainës që janë në BE – Bullgaria, Hungaria, Polonia, Rumania dhe Sllovakia – janë ankuar se importet bujqësore kanë zemëruar prodhuesit e tyre, duke çuar në protesta të fermerëve dhe ndalesa të importeve. Dërgesat në këto shtete janë rritur pasi nisja e pushtimit rus të Ukrainës pengoi eksportet përmes rrugës tradicionale të Detit të Zi.

Kievi tha se eksportet bujqësore nuk po dëmtojnë tregjet në BE, veçmas tani që 95 për qind e eksporteve bujqësore të Ukrainës kalojnë përmes Detit të Zi.

Ukraina po ashtu tha se vendimi i BE-së është i pranueshëm. Kjo marrëveshje e përkohshme duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe qeveritë e BE-së dhe vendimi për të ka gjasë të merret në prill.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG