Bashkimi Evropian ka kërkuar që puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe “të nisë pa vonesa të reja dhe parakushte”.
Kështu u tha në njoftimin e lëshuar nga shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, pas takimit të tij me ministrat e Jashtëm të bllokut në Nju Jork, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ai i informoi kryediplomatët evropianë për rundin e fundit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Për Asocacionin, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje më 2013. Por, Prishtina nuk e ka zbatuar atë, duke shprehur frikën se mund të cenojë funksionalitetin e shtetit.
BE-ja kërkoi që Kosova dhe Serbia të “angazhohen në mënyrë konstruktive dhe mirëbesim” për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit dhe të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun për normalizim.
Borrell tha se BE-ja është e shqetësuar me mungesën e përparimit nga të dyja palët për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, disa muaj pas rritjes së tensioneve.
Qytetarët lokalë serbë atje po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë, të zgjedhur në prill – në votime që u bojkotuan nga popullata serbe.
Tensionet kulmuan me përleshjet midis protestuesve dhe trupave të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
“Përkundër thirrjeve të përsëritura nga BE-ja dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, hapat që janë ndërmarrë deri më tani mbeten të pamjaftueshme dhe situata e sigurisë në veri mbetet e tensionuar”, u tha në komunikatë.
“Në këtë kontekst, veprimet nga ana e Kosovës, përfshirë edhe shpronësimin e tokës në veri, urdhrat për lëshimin e ndërtesave, telekomin dhe përdorimin e njësive speciale të policisë për detyra të ruajtjes së rendit publik, nuk janë në përputhje me sundimin e ligjit dhe rrezikojnë që të kontribuojnë në rritjen e re të tensioneve”, theksoi BE-ja.
Në maj, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për shpronësimin e tokave në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Siç është paralajmëruar nga autoritetet kosovare, shpronësimi në veri të Kosovës do të kryhet me qëllim të “realizimit të projekteve infrastrukturore me interes publik”.
Po ashtu, autoritetet lokale në Mitrovicë të Veriut kanë kërkuar që katër institucione serbe të lirojnë zyrat, pasi kanë argumentuar se ndërtesa është pronë komunale.
Komunikata e BE-së iu referua pranisë policore në veri, të cilët u dërguan për të ruajtur ndërtesat komunale. Por, që nga korriku, kur Prishtina dhe Brukseli arritën një pajtim për hapat drejt shtensionimit, Kosova ka thënë se ka reduktuar numrin e policisë.
Në kuadër të këtij pajtimi, Kosova u zotua se do të hartojë legjislacion për ndryshimin e kryetarëve komunalë. Por, BE-ja përsëriti rëndësinë e zhvillimit të shpejt të zgjedhjeve në veri, me pjesëmarrjen pa parakushte të serbëve, duke argumentuar se kjo do të ndihmonte në uljen e tensioneve.
Në komunikatën e BE-së u dënuan edhe sulmet ndaj policëve serbë që u rekrutuan së fundi.
“Sulmet e vazhdueshme të nivelit të ulët nga ana e grupeve kriminale dhe frikësimi i policëve dhe kadetëve serbë të posarekrutuar dhe ndaj popullatës lokale, janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë”, tha BE-ja.
Në gusht, autoritetet në Kosovë thanë se shtatë policë serbë dhanë dorëheqje, duke fajësuar Beogradin se qëndron pas “frikësimit” të tyre.
Për shkak të tensioneve në veri dhe mospërmbushjes së kërkesave për uljen e tensioneve, në korrik, BE-ja vendosi disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës. Blloku tha se ato do të mbeten në fuqi, por “BE-ja mbetet e gatshme t’i heqë këto masa në rast të përparimit në përmbushjen e kushteve ekzistuese apo edhe të shqyrtojë masa të reja ndaj të dyja palëve nëse është e nevojshme”, u tha në komunikatë.
Aty po ashtu u tha se “bllokimi nga ana e Serbisë i udhërrëfyesit për energji, sikur edhe përpjekjet tjera që janë në kundërshtim me Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit dhe Aneksit, shkojnë kundër frymës së procesit të dialogut" .
Në rundin e fundit të dialogut më 14 shtator, BE-ja tha se Kosova kishte refuzuar një propozim të saj për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit.
Kosova ndërkaq, tha se Brukseli dhe Beogradi refuzuan një plan të saj për po këtë çështje.
Marrëveshja, që Kosova dhe Serbia arritën më herët gjatë këtij viti, nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat. Po ashtu palët zotohen se do të zbatojnë marrëveshjet e arritura më herët në procesin e dialogut.